Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Edi Reja, ka shfrytëzuar vizitën e Napolit në Friuli, rajonin ku jeton në Itali, për ndeshjen ndaj Udinezes, për të qenë i pranishëm në atë që mund të jetë dita kur napolitanët kthehen te titulli kampin pas 33 vitesh. Dhe sipas Rejës, gjithçka fillon pikërisht me të, në periudhën kur ai e drejtoi ekipin drejt ngjitjes në Serinë A.

“Kanë kaluar 18 vite. Ky Napoli ka filluar me një friulan dhe është e drejtë që të mbyllet në Friuli. Nuk duhet ta them, por shpresoj që të mund të festoj edhe unë sonte”, tha Reja për “Sky Sport”.

“Nuk e prisja një Napoli të tillë, por klubi ka punuar shumë mirë, Xhiuntoli është treguar shumë i aftë. Ai largoi lojtarë të rëndësishëm, dukej sikur ishte mbyllur historia e klubit në Serinë A, por ndërhyrjet në merkato janë bërë me shumë aftësi.

Dhe pastaj aftësia e Spaletit ka bërë çdo gjë tjetër, duke krijuar një histori të jashtëzakonshme. Është një skuadër e cila ka luajtur mirë gjatë gjithë kampionatit. Kishte vetëm një rënie fizikisht por është e kuptueshme. Në përgjithësi, është një skuadër gjithmonë në rritje.

Kujtimi më i bukur ka qenë gjithmonë ai i ngjitjes në Serinë A. Festa deri natën vonë ishe shumë e bukur. Shpresoj që të përsëritet edhe sonte një festë si ajo, dhe shpresoj me të vërtetë që të ndodhë sot”, tha Reja.