Megi Doçi shquhet për lojën dhe mbi të gjitha për golat që shënon. Spikasin ato nga goditjet e dënimit apo dhe nga distanca gjatë aksioneve. Ajo ka marrë shumë vlerësime të ndryshme kohët e fundit, por më interesantin e ka marrë pikërisht nga një emër shumë i njohur i futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Hamdi Salihi.

“Kam shënuar shumë gola të bukur në karrierën time, por kur shoh golat e Megit vihem vërtetë në siklet”-kjo ka qenë shprehja që zgjodhi ai të përdorte gjatë ceremonisë së zhvilluar pak ditë më parë në Bashkinë Shkodër për sportistët më të mirë të vitit.

Ish- sulmuesi i njohur i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare u zgjodh si personi që do t’i dorëzonte çmimin futbollistes Megi Doçi e cila ishte vlerësuar si një ndër më të mirat e Sportklub Vllaznia për vitin 2018.

Nga ana e saj Doçi, futbollistja që pak ditë më parë mori edhe “Topin e Artë” nga FSHF, ndër të tjera ka falenderuar edhe mediat e Shkodrës që kanë promovuar siç duhet futbollin e femrave në këtë qytet por edhe në Shqipëri, duke dhënë kontributin e tyre në rritjen e cilësisë së tij.
© shkodrasport.com