I ardhur në verë nga Vllaznia, Viktor da Silva është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Partizanit në këtë sezon. Braziliani duket se ka gjetur veten shpejt te të kuqtë dhe ka arritur herë pas here të shpëtojë skuadrën me golat e tij, siç bëri ndaj Vllaznisë, ku shmangu humbjen me një gol mjaft të bukur.

Pavarësisht se ka lënë gjurmë në Shkodër, kjo nuk e ka penguar Da Silvën ta ndëshkojë dy herë në tri ndeshje ish-ekipin. Në një prononcim ekskluziv, Da Silva tregon përshtypjet e tij për barazimin me Vllazninë në kampionat. Ai gjithashtu premton maksimumin për përmbysjen në Kupë.


Mendoni se mund ta përmbysni humbjen e parë 3-1 në Kupë ndaj Vllaznisë?

Duhet të besojmë gjithmonë, pavarësisht rezultatit jo të favorshëm. Asgjë nuk është e pamundur, ndaj do të përpiqemi të bëjmë më të mirën për të kaluar në gjysmëfinale.

Ku ndryshon Partizani nga Vllaznia?

Diferenca është te madhështia e Partizanit, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit… Më pas derbi flet vetë. Atmosfera e kësaj ndeshjeje nuk krahasohet me asnjë ndeshje tjetër në Shqipëri.