Vllaznia do të luajë nesër ndaj Rahovecit ndeshjen e tretë të Ligës Ballkanike të këtij sezoni dhe objektivi patjetër që është fitorja. Këtë gjë e ka deklaruar trajneri Gospodinov por edhe një nga basketbollistët e këtij ekipi, pikërisht Damian Bekteshi.

Në prononcimin e dhënë për mediat, numri 5 i kuqebluve është shprehur: “Kemi bërë më të mirën tonë në këto ditë të stërvitjes dhe shpresojmë që të rikuperohen lojtarët e dëmtuar. E treta e vërteta, shpresojmë që ndaj Rahovecit të arrijmë fitoren.

Edhe ndaj Pejës nuk kemi bërë ndonjë ndeshje të keqe, por pak fati dhe disa gabime tona na penalizuan ta fitonim atë takim. Shpresojmë që nesër me një lojë të mirë dhe përkrahjen e publikut të arrijmë fitoren e parë në Ballkan Ligë.” – ka deklaruar Bekteshi.

Më pas i pyetur për formën e tij, ai ka thënë se forma është e mirë por nëse nuk ka luajtur aq sa duhet, kjo vjen pikërisht nga zgjedhjet e trajnerit dhe për këtë gjë ka shtuar: “Përsa i përket formës apo aktivizimit tim, mund të them se janë vendime të trajnerit për lojtarët që hedh në fushë. Por në çdo sekondë apo minutë nëse na jepet mundësia në lojë do japim maksimumin, si nga ana ime apo edhe çdo lojtari tjetër”.

Bekteshi është shpallur pak vite më parë tre herë rresht kampion me Vllazninë dhe e di mirë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e një ekipi të tillë. I pyetur nëse ekipi i sivjetëm e ka stofin e kampionatit dhe nëse do mundet ai ta arrijë këtë objektiv, basketbollisti i Vllaznisë shton:

“Është e vërtetë që kanë ardhur disa lojtarë të huaj, ku sëfundmi kanë ardhur edhe dy lojtarë të tjerë të huaj dhe kërkojnë pak kohë për tu përshtatur me skuadren. Ato janë blerje cilësore dhe shpreojmë që të përshtaten sa më shpejt me grupin e skuadrës. Duke marrë hap pas hapi cdo ndeshje shpresoj të arrijmë dicka të mirë në fund të sezonit”.
© shkodrasport.com