Me dy gola të shënuar në pjesën e parë me autorë David Markun dhe Arli Përgjonin, Besëlidhja e Lezhës ia ka dalë të marrë një fitore me mjaft vlerë ndaj njërit prej ekipeve më të mira të kampionatit, pikërisht ndaj Sopotit.

Për më tepër, kjo fitore 1-2 e lezhjanëve merr më shumë vlerë, pasi u arrit në stadiumin e qytetit të Librazhdit ndaj një ekipi pretendent si Sopoti dhe me këtë trepikësh, ata tashmë mbajnë sërish vendin e dytë të renditjes.

Pjesa e parë e ndeshjes është shoqëruar me shumë rivalitet dhe me plot tre gola. Fillimisht, Besëlidhja ka zhbllokuar shifrat me penallti me anë të futbollistit David Marku, por pak minuta më vonë, Sopoti barazon rezultatin në 1-1.

Në fundin e pjesës së parë, Besëlidhja shënon edhe golin e dytë, me anë të futbollistit Përgjoni dhe në këtë mënyrë, ndeshja nuk do të kishte gola të tjerë, me lezhjanët që fitojnë me rezultatin 1-2.

Me këtë trepikësh, skuadra e drejtuar nga trajneri Dritan Smajli është ngjitur në kuotën e 15-pikëve dhe është e pozicionuar në vendin e dytë pas Valbonës së Tropojës që kryeson renditjen me 18-pikë.

Sopoti-Besëlidhja 1-2

Golat për Besëlidhjen: Marku (pen) 22’, Përgjoni 43’

Besëlidhja (4-2-3-1): Kaçaj, Ruqi, Gjikolaj, Zefi, Përgjoni, Bardulla, Hepaj, Vukaj, Marku, Bruka, Musaraj (u aktivizuan: Alçani, Kaçeli, Danaj, Çepeli) Tr: Dritan Smajli