Edhe pse u largua ditën e sotme nga pankina e Laçit, Besnik Prenga ruan ende marrëdhënien e mirë me drejtuesit e klubit kurbinas dhe lojtarët.

Në një prononcim për “Newsport“, tekniku i njohur zbuloi se humbja e thellë me Tiranë 0-3 këtë javë dhe dështimi për të fituar Kupën e Shqipërisë e detyruan të shpallte largimin nga ekipi.

Ai uron që pasuesi i tij Sulejman Starova, për të cilin ka konsideratë të lartë, të përmbushë me sukses objektivin e arritjes në vendin e tretë në kampionat.

-Pas humbjes me Tiranën 0-3 në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë u shkarkuat nga posti i trajnerit të Laçit. Mund të na tregoni, si u ndatë me drejtuesit e klubit?

Ndryshimi midis shkarkimit dhe largimit nuk përbën problem. Me mbarimin e ndeshjes me Tiranën (3-0) kam shkuar te dhomat e zhveshjes dhe u kam secilit prej lojtarëve: ‘Ju uroj suksese me një trajner tjetër. E kam paralajmëruar largimin. Kam bërë dhe një përpjekje tjetër për t’u larguar më parë, por qëndrova sepse po punoja me njerëz që i njoh dhe i kam miq të mirë.

Kryesorja është se unë erdha me qëllim për t’i ndihmuar, për të bërë diçka më të mirë se paraardhësit e mi. Qëllimi kryesor i ardhjes sime te Laçi ishte Kupa e Shqipërisë. Bëmë një pjesë të dytë ndaj Tiranës, që nuk na ka hije, jo vetëm mua si trajner dhe lojtar, por askujt. Pas asaj ndeshjeje, isha i detyruar të dorëzoja mandatin në shërbim të klubit. Kjo është e vërteta, që po ju them unë.

Këto dy ditë ka patur përpjekje që unë të qëndroja, të vazhdoja me klubin. Megjithatë, unë e dija me kohë që nuk jam në rrugë të mbarë.Erdhi koha për ndryshim. Nuk ishte një vendim i marrë në rrugë emocionale, por logjike. Jam ndjerë shumë mirë te Laçi, sepse atje kam miq shumë të mirë. Por, unë erdha për të fituar Kupën e Shqipërisë dhe nuk ia arrita.

Sa i përket kampionatit, kemi marrë pikë. Kemi gabuar më pak se kundërshtarët e tjerë. Ishim në vendin e gjashtë dhe momentalisht jemi në vendin e katërt. Por nuk kemi bërë paraqitje me lojë të bukur. Kam pritur më shumë nga këta lojtarë, sepse kishim punuar shumë në stërvitje. Nuk më vjen turp ta pranoj që u largova me humbje. E marr si disfatë personale.

Mendoja se mund të fitonim ndaj Tiranës, pavarësisht se Tirana ka emër, cilësi, traditë. Mendova se nëpërmjet sakrificave dhe dëshirës sonë mund të bënim një ndeshje, që do të na jepte shansin të vendosnim kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës në takimin e dytë.

Nuk e arritëm këtë gjë dhe e ndjeva për detyrë, të jem korrekt para vetes, presidentit që e kam mikun tim dhe tifozëve laçianë se erdhi koha për ndryshim. Dëshiroj që trajneri i ri Sulejman Starova, që e njoh dhe e kam mik të arrijë diçka që unë nuk e bëra dot.

E pashë që nuk munda ta shtyja më përpara ekipin dhe pas humbjes 3-0 me Tiranën. Do të doja që ndeshjen e dytë ta fitonim 4-0. Është një veprim normal, që çdokush do ta bënte. Pastaj dhe paraqitjet në ndeshjet e fundit nuk më dhanë shpresë që ishim në rrugën e duhur. Uroj që Laçi të arrijë të kualifikohet për në Kupat e Europës. Lojtarëve u uroj të rriten në nivelin e lojës. Dhe në kampionat shpresoj që të arrijnë vendin e tretë.

-Keni qenë ndër trajnerët më korrektë dhe më të drejtpërdrejtë pas çdo takimi të ekipit tuaj që nuk i keni kursyer kritikat për paraqitjet në fushë. Keni përmendur vazhdimisht që lojtarët nuk janë përgjigjur pritshmërive tuaja. Ka ndikuar cilësia në këto paraqitje apo vështirësia për të përballur presionin psikologjik?

Unë si trajner dhe lojtarët duhet të mësohen me presionin psikologjik. Nuk mendoj se presioni ndaj Laçit ka qenë më i madh në krahasim me ekipet e tjera. Po të krahasojmë me ekipe që kanë traditë dhe buxhet më të madh se ne. Presioni është i madh te të gjithë. Presioni të shtyn përpara. Kemi lojtarë që ndoshta janë të rinj ndoshta nuk iu përgjigjën dot këtij presioni psikologjik.

Duke parë dhe aftësitë e tyre dhe ndeshjet në fazën përgatitore, mendova që ne mund të prodhonim një futboll më të bukur, sepse në ato ndeshje që nuk e vuanim presionin unë kam mbetur i kënaqur me cilësinë, me nivelin e lojës. Kurse në kampionat, nuk po përsëritnim atë çfarë dhamë në ndeshjet miqësore. Edhe kur fitonim, nuk bindnim dot nga ana taktike në lojë, sidomos në sulm.

Kam luajtur me skemën 4-4-2 sepse nuk kemi patur një qendërsulmues, por kisha kohë dy muaj të prodhoja një lojë më cilësore që të nxirrnim vetë golin. Uroj që trajneri i ri, me përvojën që ka, të realizojë atë që nuk munda dot.

-Kroacia është shtëpia juaj. Do të ktheheni atje për të vazhduar karrierën si trajner?
Kam gati tre muaj që jam larg familjes. Do të shkoj të takohem me njerëzit e mi të afërt. Por, kampionatin do ta ndjek. Unë jam larguar nga Laçi, por nuk i kam ndryshuar marrëdhëniet e mia me klubin dhe presidentin. Ne mbetemi miq. Kam qenë me presidentin gjithë ditën sot, kështu që edhe presidenti edhe Laçi të ecin përpara./NEWSPORT/.