Erjon Bogdani nuk ka arritur deri tani që karrierën e tij të pasur si futbollist, ta ketë po aq të suksesshme edhe si trajner. Pasi ishte fillimisht pjesë e stafit të përfaqësueses A nën drejtimin e Xhani De Biazit, ai u bë për dy sezone trajneri i përfaqësueses U19.

Por rezultatet nuk i dhanë aspak të drejtë pasi pavarësisht dy brezave të talentuar, ai nuk arriti të fitonte asnjë nga 6 ndeshjet zyrtare në drejtimin e kësaj përfaqësueseje.

Megjithatë, sipas Bogdanit, nuk është e drejtë që trajneri të bëhet kurban kur ekipi nuk ka rezultate dhe këtë ide të tij e shprehu në një intervistë ku po shpjegonte krizën aktuale të Salernitanës.

“Kërkohet një fitore. Nëse nuk e arrin, Salernitana humb trenin e radhës dhe duhet të pyesë veten pse. Nëse do të vijë një humbje, klubi mund të marrë vendime kundrejt trajnerit Greguçi, por nuk është e drejtë.

Unë flas si trajner: nuk ka pse një trajner futbolli, kur gjërat nuk shkojnë mirë, të bëhet kurban”, ishin fjalët e Bogdanit në intervistën e tij në mediat italiane. Ndoshta sipas ish-sulmuesit të Kombëtares, edhe largimi i tij pas 6 humbjeve me golavarazhin 1-14 nga Shqipëria U19 ishte i tepruar. /vipsport/