Ditmar Bicaj është ndierë i fyer pasi ka lexuar dje në “Panorama Sport” arsyet që jepte presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, për largimin e tij nga skuadra ballshiote. Mbrojtësi lezhjan akuzon kreun e klubit se ka thyer çdo ligj kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë pandemisë, duke detyruar futbollistët që të stërviten në kohën e karantinës.

Nga ana tjetër, ai thekson se që prej muajit nëntor nuk është paguar nga klubi i Bylisit, prandaj dhe nuk mund të vazhdonte të qëndronte në kushte të tilla. “Nëpërmjet gazetës suaj lexova se presidenti i ish-ekipit që u aktivizova në sezonin e fundit më kishte përmendur si filozof.

Nuk kam pasur dëshirë të flisja për këtë çështje, por tani jam i detyruar”, nis bisedën për “Panorama Sport” qendërmbrojtësi. Këtë sezon ai është aktivizuar me ballshiotët në 16 ndeshje për kampionat dhe 2 për llogari të Kupës së Shqipërisë.

AKUZAT

Lojtari 31-vjeçar tregon më tej se çdo gjë që ka thënë Kapllanaj në lidhje me të janë të pavërteta, ndërsa ngre disa pyetje për situatën në skuadër dhe pretendimet e presidentit. “Si ka mundësi që qenkan të gjithë lojtarët e paguar dhe janë larguar nga ekipi?! Më tregoni një lojtar në të gjithë botën që paguhet rregullisht dhe bojkoton stërvitjen?!

Si ka mundësi që një lojtar që nuk stërvitet të aktivizohet sistematikisht?! Në periudhën e pandemisë, e gjithë bota ndërpreu çdo aktivitet, ndërsa vetëm filozofi presidenti i Ballshit nuk e bëri një gjë të tillë. Skuadra ka vazhduar stërvitjet me një grup lojtarësh, duke thyer ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Çdo gjë që filozofi i Ballshit deklaron, janë të pavërteta”, ka thënë Bicaj.

ZHGËNJIMI
Në fund, lezhjani komenton raportin me klubin sa i përket anës financiare për kontratën që i ka skaduar, ndërsa shpreh hapur një zhgënjim të madh për sjelljen e presidentit Kapllanaj. “Personalisht jam pa u paguar që në muajin nëntor 2019.

Në Ballsh shkova duke besuar verbërisht te burrëria e filozofit, por burrëria i paska rrënjët larg nga ky person. Jam shumë i zhgënjyer për mënyrën se si shkuan gjërat, pasi ndryshe na u premtua dhe ndryshe u veprua. Gjithsesi, koha do t’i tregojë të gjitha në këtë histori”, ka përfunduar Bicaj.

Ndërkohë, tashmë palët duket se janë të destinuara për t’u përballur në një gjyq në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, edhe pse nuk ka ende diçka zyrtare. Vetë futbollisti, i pyetur për këtë opsion, nuk dëshiroi të bënte komente. Nga ana tjetër, në institucionin e futbollit klubi ballshiot ka vënë në dijeni sektorin e garave për gjobat ndaj Bicit për këtë periudhë kur ai nuk është paraqitur për stërvitje në Ballsh.