Nesër në orën 17.00 do të luhet ndeshja e parë e turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, ajo në mes Vllaznisë dhe Teutës. Një sfidë shumë interesante dhe që padyshim do të tentohet për t’u fituar nga secili ekip.

Në kampin shkodran ka optimizëm, për më tepër që tashmë në krye të tyre është një trajner i ri, Hysen Dedja. Ai ndoshta nuk ka shumë për të ndryshuar në formacion, megjithatë duhet thënë se edhe kontigjentin nuk do ta ketë të plotë.

Mesfushori Behar Ramadani vazhdon të jetë në fazën e rikuperimit nga dëmtimi që ka patur në tendinë. Po ashtu, në stërvitjen e djeshme, braziliani Junior nuk është bashkuar me grupin pasi ka ndjerë disa shqetësime të vogla dhe për rrjedhojë është lënë pushim nga stafi mjekësor.

Megjithatë sulmuesi kryesor i ekipit sot është stërvitur me ekipin dhe nesër pritet të jetë në fushë ndaj durrsakëve, megjithatë vendimin e fundit do ta marrë stafi teknik, pasi të jetë konsultuar edhe me atë mjekësor.

Kuqeblutë e kanë shprehur qartë dëshirën e tyre për t’u kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës dhe për këtë arsye, nesër do t’i duhet të marrin një rezultat sa më pozitiv, në mënyrë që ta kenë më të lehtë kualifikimin pas dy javësh në “Niko Dovana”.
© shkodrasport.com