“Kukësi ka nevojë në çdo repart për të marrë njerëzit e duhur dhe jo për të mbushur radhët sa për të bërë 25 lojtarë. Kompozimi nuk është bërë në mënyrën e duhur.

Nuk e di sesi, nuk më intereson sesi është bërë dhe se kush e ka bërë. Më mirë që t’i themi gjërat siç janë, sesa t’i kamuflojmë. Ky nuk është Kukësi që duhet të jetë”.

Këto fjalë dolën nga goja e trajnerit Armando Cungu menjëherë pas disfatës 5-2 kundër Torpedos në Gjeorgji. Gjithçka është e qartë, shkodrani foli hapur dhe zhvlerësoi në maksimum afrimet e bëra në verë nga dyshja Peter Pakult dhe Nderim Nexhipi.

Me këtë të fundit, Cungu duhet të bashkëpunojë tashmë për të gjetur ata që ai i cilëson “njerëzit e duhur”.

Edhe Rexhinaldo, që trajneri shkodran bëri elozhe pas ndeshjes, nuk është një ide e tij, pasi e ka kërkuar Pakult që në qershor dhe u afrua kur ekipin e mori Cungu.

Është fakt tashmë, se Kukësi ka zyrtarizuar 14 afrime dhe duket krejt logjike që një pjesë e lojtarëve që janë konsideruar “goditje”, do të largohen.

Presidenti Gjici prezantoi vetë Sebino Plakun, por klubi dhe sulmuesi tashmë duket sikur mezi presin fundin e angazhimit evropian, për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit.