Bylisi fitoi miqësoren e dytë në këtë fazë përgatitore, me mallakastriotët, që deri më tani janë ndeshur me dy ekipe me emër në futbollin shqiptar siç janë: Tomori dhe Dinamo. E megjithatë janë sfida, të cilat vlejnë thjesht si test për skuadrën dhe lojtarët. Faza përgatitore dhe merkatoja në Ballsh janë në kulmin e vet, ku duket se presin përforcimet.

Ndërkohë që në këto teste janë provuar edhe lojtarë të huaj, që vlejnë edhe për ekipin U-21 dhe që në një të ardhme të afërt pritet të promovohen në ekipin e parë. Mallakastriotët i janë rikthyer dje programit të zakonshëm me një stërvitje intensive, ndërsa trajneri Jeton Beqiri dhe stafi po mendojnë për të tjera sfida miqësore. Aktualisht, Bylisi ka mbipopullim me një grup me mbi 30 lojtarë, ndërsa pritet që të ketë lëvizje në hyrje dhe dalje.

Në ditët në vijim, ndoshta në fundjavë pritet që sërish të ketë ndeshje miqësore. Me shumë gjasa ballshiotët do të luajnë me një tjetër ekip të Kategorisë së Parë, teksa pritet të jetë Apolonia e Fierit. Ky do të jetë testi i tretë dhe pritet të zhvillohet në fushën me bar natyral të stadiumit “Adush Muça”, ndërsa orari ende nuk është përcaktuar nga dy klubet.

Kjo do të vendoset në varësi edhe të temperaturave që ditët e fundit kanë qenë mjaft të larta. Objektivi i Bylisit është mbijetesa në Superiore, por ta bërë këtë, duhen afrime të rëndësishme.