Këtë fundjavë, pikërisht të shtunën dhe të dielën, në Tiranë do të zhvillohet gara më e rëndësishme çiklistike e vitit, kampionati kombëtar. Federata Shqiptare e Çiklizmit ka marrë tashmë të gjitha masat për këtë gjë dhe pritet vetëm kurorëzimi i më të mirëve në të dy disiplinat, si në garën e kronometrit individual ashtu edhe në atë të rezistencës.

Në kampionat do të marrin pjesë të gjithë ekipet e Shqipërisë me sportistët e tyre më të mirë. Natyrisht që pjesmarrëse do të jetë edhe Vllaznia e cila ka kohë që punon për këtë aktivitet.

Ritmi i punës nuk është ulur asnjëherë nga stafi dhe sportistët e tij sepse objektivi është i qartë: Do synojë fitoren në të dy garat. Paraditen e së shtunës do të zhvillohet gara e kronometrit individual në të cilin do të garojnë tre sportistët më të mirë të çdo ekipi.

Bruno Kola padiskutim që do të synojë të shpallet kampion sepse shquhet për këtë garë por natyrisht që nuk do të jetë e lehtë sepse do ketë konkurrencë të madhe. Madje, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe sportistë të cilët do vijnë nga jashtë Shqipërisë për të marrë pjesë në këtë garë.

Sakaq, të dielën ndërkohë do të zhvillohet gara e rezistencës e cila do të kalojë në një terren malor dhe ku do vihet më së miri në pah përgatitja e secilit sportist.

Edhe në këtë garë Bruno Kola është pretendent por jo vetëm ai nga Vllaznia. Një formë shumë të mirë sportive gëzon edhe çiklisti tjetër shkodran Astrit Kronaj por jo shumë larg tij janë edhe Sion Gjoka, Alfons Rrashkadoli, Gjergj Zefi dhe Defrim Dholla.

Ndërkohë në kategorinë e kadetëve, po bën një paraqitje të mirë Arvin Rama i cili ndonëse ka vetëm pak kohë që i është bashkuar këtij ekipi, është rritur shumë nga ana sportive dhe do ketë edhe ai pretendimet e veta me këtë grupmoshë.

Vllaznia kësisoj pritet të thotë fjalën e vet edhe në këto gara dhe trajneri Leonat Kola është i bindur se suksesi i çiklistëve të tij nuk do të mungojë edhe këtë herë.
www.shkodrasport.com