Ada e Velipojës ka nisur përgatitjet për gjysmën e dytë të sezonit dhe stafi teknik i ekipit me në krye trajnerin Vahedin Pepaj sëbashku me presidentin Alfred Pjetri, po mundohen të bëjnë edhe ndryshime në skuadër.

Pritet që gjatë ditëve të ardhshme me të, të bashkohen të tjerë lojtarë ashtu siç pritet të ketë edhe largime. Por ajo që të bën bujë është oferta që ata i kanë bërë disa futbollistëve të njohur shkodranë që janë aktualisht pa ekip, përfshirë këtu edhe Rubin Hebajn.

“Ada dëshiron të ftojë Rubin Hebajn apo dhe lojtarë të tjerë shkodranë që aktualisht jaën pa skuadër që të vijnë e të stërviten me ne gjatë kësaj periudhe, kjo për të kapur formën e duhur dhe në momentin që do të marrin oferta të tjera, mund të largohen, por të paktën të jenë të stërvitur.

Gjithashtu, nëse edhe pas mbylljes së merkatos, sërish ata nuk do gjejnë ekip, do t’u ofronim mundësinë për të luajtur me Adën për të na dhënë ndihmën e tyre në arritjen e objektivave që ne kemi”- shprehen drejtues të Adës.

Një ofertë në fakt interesante, por që vështirë se do të realizohej sepse Hebaj e të tjerë, po tentojnë të gjejnë ekipe të mira dhe kuptohet që nuk e kanë mendjen tek Ada. Megjithatë, dera e kësaj të fundit është e hapur, nëse nuk gjejnë ekip, atëherë mund të bëhen pjesë e velipojakëve.
© shkodrasport.com