Erald Lakti është një emër i cili ka tërhequr gjithmonë vëmendjen me paraqitjet e tij me fanellën e përfaqësueseve të moshave të Shqipërisë, duke luajtur me U17 dhe U19. Por djaloshi i cili në janar mbush 19-vjeç, ka tërhequr vëmendjen edhe përtej Adriatikut, ku është tashmë kapiteni i skuadrës së të rinjve të Fiorentinës.

Futbollisti shihet si një element me shumë perspektivë i skuadrës së qytetit të Firences, ndaj e përditshmja ”Corriere Dello Sport” i ka kushtuar një faqe Laktit, duke e pyetur për dëshirën për t’iu bashkuar ekipit të parë me të cilin këtë vit është stërvitur vazhdimisht.

“Mundohem të marr shembull nga mentaliteti fitues i Ibrahimoviç, një person i cili ka arritur gjithmonë objektivat që i ka vendosur vetes. Ndërsa në fushë më ka pëlqyer shumë Masçeranio, me teknikën dhe personalitetin e yij, nëse do të mundja do t’i vidhja ndonjë gram”, tha duke qeshur futbollsti shqiptar i cili nuk ka fshehur dëshirën për të mbyllur këtë vit me trofe te të rinjtë e pastaj të debutojë në Serinë A me ekipin e parë.

“Kur jam stërvitur me skuadrën e parë kanë qenë të gjithë të kujdesshëm që të integrohesha sa më mirë. Nuk jam ndjerë asnjëherë i përjashtuar, përkundrazi. Më pëlqen shumë Vertu, le të themi se jam pak si ai. Unë ndjej se jam gati për të dhënë maksimumin, pastaj do të jenë trajnerët ata që vendosin. Si fillim, misioni i parë është të kthej një trofe në Firence, qoftë kjo Kupa e Italisë, titulli i të rinjve apo turneu i Viarexhos”, tha ai.

Me gjithë këto vlerësime që merr, duke i shtuar faktin që Lakti ka dy pasaporta, shqiptare dhe italiane, atij i është bërë pyetja se si do të reagonte ndaj një ftese nga Italia. “Kam nënshtetësi të dyfishtë, ndaj mund të grumbullohem nga trajnerët e të dy palëve.

Le të themi që deri këtu, më ka ftuar Shqipëria, në momentin e duhur, nëse do të ndodhë, do ulem ta mendoj se çfarë do të bëj”,tha ai, duke lënë çdo gjë hapur sa i përket të ardhmes. /vipsport/