Ardhja e Cristiano Ronaldos te Juventusi fillon t’i lërë mbas numrat historikë. Sulmuesi portugez shënoi dopietë kundër Empolit, duke iu dhënë bardhezinjve fitoren (1-2). Ai ka shtatë gola në Seria A, në dhjetë javët e para të kampionatit.

Diçka të tillë nuk e kishte arritur askush te “Zonja e Vjetër”, që nga John Charles, sulmuesi britanik, i cili përfundoi si golashënuesi më i mirë në vitin 1958, me 28 gola, dhe që, gjithashtu, realizoi shtatë gola në dhjetë javët e para.

Edhe pse pati “thatësirë” në tri ndeshjet e para me bardhezinjtë, në kampionat, portugezi e nxori kokën si golashënues në javën e katërt të Seria A, kundër Sassuolo. Atë ditë shënoi dy gola.

Javën e pestë e gjeti rrugën e rrjetës një herë kundër Frosinone. Të njëjtën gjë bëri edhe në tri javët e fundit të garës, kundër Udinese dhe Genoa, si dhe ndaj Empolit (dopietë, të shtunën).

Pavarësisht nga ky produkt, Cristiano nuk e sheh veten në krye të listës së shënuesve më të mirë të Seria A për momentin, sepse ajo ka “pronar” Krzysztof Piątek, sulmuesin e Genoa (9 gola). Ky rekord gjeneron rëndësi më të madhe nëse merren parasysh sulmuesit e fundit, që kanë kaluar te Juventusi.

Lojtarët, të cilët i qëndrojnë afër Cristianos me gjashtë gola në dhjetë javët e para të Seria A me bardhezinjtë janë: Gonzalo Higuain (e përfundoi sezonin përkatës me 24 gola), Carlos Tevez (19) dhe Filippo Inzaghi (18).

Zlatan Ibrahimovic dhe David Trezeguet shënuan nga pesa gola në dhjetë javët e para të kampionatit, duke i përfunduar sezonet e para te Juventusi me 16 dhe 14 gola në kampionat, respektivisht./telesport/