Humbja e fundit në Korçë vijon me debatet në distancë në kampin shkodran. Pas asaj që tha trajneri Cungu në konferencën e shtypit të pasndeshjes, pat reaguar edhe vetë lojtari duke i quajtur gabime të çastit 11-metërshat e shkaktuar. Malazezi po ashtu la të hapur edhe mundësinë e uljes së figurës të tij me komentet dhe deklaratat e bëra së funi. Por krejt ndryshe mendon trajneri aktual i Vllaznisë. Në një prononcim të dhënë ditën e sotme për mediat, Armando Cungu është shprehur:

“Unë vazhdoj t’i qëndroj po të njëjtës deklaratë që kam bërë edhe në Korçë. Çka do të thotë se brenda kompetencave të tij si trajner, ky lojtar nuk bën pjesë më në planet e mia. Kjo sepse për anën sportive tek skuadra vendos unë dhe prandaj Cicmil e ka mbyllur me Vllazninë. Këtu e kam fjalën për 18 lojtarët që do të grumbulloj për ndeshjet e mbetura deri në fund të këtij kampionati. Prandaj, sa të jem unë në Shkodër, ai nuk ka asnjë shans të jetë më në 18-she të skuadrës. Për anën tjetër, i takon stafit administrativ për të vendosur, natyrisht duke parë edhe pikat e kontratës që kanë të nënshkruar me të. Besoj se nuk ka asgjë personale me këtë futbollist, të cilit them se i kam dhënë më shumë sesa ka arritur, ashtu si çdo tjetër që ka patur të gjithë hapësirën e duhur për të demostruar vlerat e veta. Por Cicmil nuk ka treguar atë çfarë pritej prej tij. E kam sqaruar edhe javë përpara këtë sportist kur më ka pyetur pse nuk luan. Ia kam bërë të qartë se ai nuk ka as në fushën e stërvitjes dhe as në ndeshje, serioz dhe korrekt. Kritikat e mia kanë qenë të vazhdueshme për këtë sportist, për këtë gjë janë dëshmitarë edhe sportistët e tjerë. Nuk ka shanse që ky lojtar apo kushdo tjetër të tallet me djersën time, me atë të shokëve të ekipit, me këtë fanellë dhe me këtë qytet”. Në opinionin sportiv apo dhe në media është aluduar se deklaratat e trajnerit kanë brenda dyshime për trukim të këtij lojtari. Vetë Cungu nuk ka dëshirë ta komentojë në një mënyrë të tillë prandaj shton: “Nuk kam akuzuar asnjë person për shitje ndeshjesh. Të akuzosh persona duhet të kesh fakte, që do të thotë se mund të përballesh në Prokurori me gjëra të tilla. Unë flas si trajner, nisur nga ajo çfarë ka dhënë ky sportist në stërvitje e ndeshje. Mjafton të shikoni edhe njëherë gabimet e tij në disa ndeshje dhe besoj se çdokush më jep të drejtë në vendimin që kam marrë”.Debati mesa duket do të vazhdojë. Megjithatë duhet parë e ardhmja e këtij lojtari tek Vllaznia. Përderisa nuk ka më vend tek ekipi i parë sigurisht që kontrata e tij mund të mbyllet tre përpara afatit. Nuk do ishte keq që palët të arrinin një konsensus pavarësisht se humbja e fundit i ka trazuar jo pak gjërat.
© shkodrasport.com