Trajneri i Kukësi, Armando Cungu, foli për mikrofonat e “Supersport” para sfidës së radhës së verilindorëve kundër Tiranës. Tekniku shkodran tha se skuadra duhet të futet në fushë me mentalitetin për ta fituar me domos takimin.

“Është fillimi i kampionatit dhe ekipi nuk ka marrë ende fizionominë e plotë. Edhe pse kemi bërë ndeshje të mira, edhe pse kemi dominuar mbi kundërshtarët në dy ndeshjet e para të sezonit, pak rëndësi ka, pasi në fund të fundi janë pikët që vlejnë.

Kukësi ka nevojë urgjente për pikë, prandaj na duhet një reagim shumë i shpejtë. Që ndeshjen e nesërme, pse jo, për të marrë tri pikët. Tri pikë që do të sillnin qetësinë në kampin tonë dhe do të na ndihmonin për të parë përpara.

Asnjë ndeshje në Superligë nuk është e lehtë. Jo vetëm kundër Tiranës, po kundër asnjë ekipi. Diferencat janë ngushtuar shumë dhe të gjithë dinë të luajnë futboll.

Natyrshëm që kundër Tiranës futemi në fushë për ta fituar ndeshjen. Unë si trajner, kudo që kam drejtuar, kam pasur mentalitet fituesi. Dua të fitoj dhe këtë gjë do të kërkojmë edhe ndeshjen e nesërme”,- përfundoi fjalën e tij Cungu./vipsport/