Kukësi do të udhëtojë drejt Vlorës,l ku në javën e dytë do të ketë një ndeshje mjaft të vështirë përballë Flamurtarit.

Në kuadër të këtij takimi, trajneri i verilindorëve, Armando Cungu ka folur para mediave ku ka komentuar gjendjen aktuale të skuadrës, ndërkohë që ka sqaruar edhe largimin e Allës e çështjen Shkodra.

“Ndeshja me Flamurtarin? Çdo ndeshje është e rëndësishme, jo vetëm për ne, por për të gjitha ekipet. Duke futur edhe objektivin që ka Kukësi, ne synojmë tre pikët në çdo ndeshje, sikurse edhe nesër. Ky është objektivi ynë

Barazimi me Laçin dhe prekja e harmonisë? Nuk besoj se ka prekur një ndeshje harmoninë. Ajo nuk duhet prekur kurrë dhe duke qenë një klub profesionist nuk ka arsye të mendohet diçka e tillë.

Natyrshëm që dëshira ishte e madhe për ta fituar ndeshjen me Laçin, sikurse dëshira është për të fituar çdo ndeshje. Futbolli i ka të tria rezultatet brenda, normalisht kur nuk menaxhon lojën siç duhet merr edhe ato rezultate që nuk i pret. Kjo na ndodhi me Laçin, edhe pse ishim superiorë. Është ndeshje e lënë prapa. Të shohim përpara tani.

Ndryshime nga ndeshja e parë? Kanë ndryshuar disa individë për sa i përket formacionit. Pres dhe shpresoj edhe në aspektin fizik, pasi isha i vetëdijshëm që ndaj Laçit nuk kishte freskinë e duhur duke pasur parasysh se nuk ishin bërë tre ditë te plota prej ndeshjes me Torpedon.

Ekipi shpenzoi energji dhe kjo ka qenë një nga arsyet se pse ekipi nuk kishte ritmin e duhur në lojë. Nesër shpresojmë të shohim një Kukës me ritëm tjetër.

Gabimet ndaj Laçit? Çdo ndeshje ka problemet e veta, anët e mira dhe të këqija. Mund të fitosh me goleadë dhe të gjesh gjëra që nuk shkojnë.

Nuk bëmë mirë në aspektin e finalizimit, mund të shënonim golin e dytë dhe të tretë, por edhe në pësimin e golit gabuam. ishte një gabim i joni, një dhuratë për kundërshtarin. Kemi punuar gjithë javën dhe uroj që nga nesër të tregojmë se jemi ekip profesionist. Të minimizojmë problemet, pasi nuk mund të eliminohen.

Grupi dhe mungesat? Kam pak problematika me 1-2 lojtarë. Pres deri nesër rikuperimin e tyre. Kukësi ka lojtarë në dispozicion që duhet të tregojnë vlerat e tyre dhe të tregojnë se e meritojnë që janë pjesë e rëndësishme e Kukësit.

Flamurtari? Nuk mund të them jo unë, por asnjë trajner që e njeh Flamurtarin, pasi është një ekip që ka ndryshuar pothuajse rrënjësisht.

I kam parë në ndeshjen kundër Teutës dhe duke pasur parasysh organizimin dhe kontingjentin, janë një ekip kualitativ dhe jo i lehtë. Gjithsesi Kukësi ka emrin e vet, kualitetin dhe ambicien e vet, ndaj nuk kemi pse i druhemi asnjë kundërshtari.

Donjet Shkodra? Nuk besoj se ka një çështje Shkodra. Ai është pjesë e klubit të Kukësit sërish, ju e keni parë në formacion, që do të thotë se ka qenë një lojtar që e kemi menduar si një element që mund të kontribuojë për Kukësin. Është pjesë e Kukësit, sa kohë stërvitet me Kukësin, patjetër që është pjesë e planeve.

Kukësi i vërtetë? Realisht duhet kohë, Kukësi ka ndryshuar shumë, ka shumë ardhje. Në këto kushte duhet kohë. Janë lojtarët atyre të cilëve u duhet kohë për t’u ambientuar dhe për t’i vendosur të gjithë në pozicionet optimale të tyre.

Dëshira është që të vijnë sa më shpejt. Kam thënë edhe herë të tjera se edhe pse ka mbetur pak kohë, duhet të vijë një lojtar që merr përgjegjësi dhe tregon vlera në rrugën jo të shkurtër. Shpresojmë ta shohim sa më shpejt harmonizimin e këtij grupi.

Largimi i Allës? Duhet të kuptojmë diçka, që jo çdo herë ndodhin gjërat brenda dëshirave të klubit apo të sportistëve. Alla është larguar me dëshirën e vet.

Dëshira e klubit dhe e imja personalisht ishte të rrinte. Është një lojtar që vlerat ia njihja, sikurse edhe drejtuesit.

Kam qenë pjesë e bisedimeve, presidenti e ka thirrur Allën për të pasur një bashkëpunim tjetër. Ai ka preferuar të bëjë zgjedhje tjetër, që jemi të detyruar ta respektojmë dhe t’i urojmë suksese aty ku është.

Historiku i fitoreve me Flamurtarin? Nuk u besoj këtyre gjërave. Traditës i besoj, por kësaj ne në Shkodër i themi “me qit fall me groshë”.

Futbolli është futboll, ndryshojnë kohët, ndryshojnë momentet, ndryshojnë ekipet, ndryshojnë trajnerët. Kjo nuk do të thotë asgjë.

Nëse ecim me traditë, Tirana duhet të dilte kampion vjet, Vllaznia të mos binte nga Kategoria. Kështu duhet të fokusohesh me çdo ekip, pasi edhe fëmijët të nxjerrin probleme nëse nuk përqendrohesh, e jo më Flamurtari”, u shpreh Armando Cungu.