Nëse flasim për basketbollin shkodran, padyshim që një nga periudhat më të mira të tij është edhe ajo e viteve ’80. Pjesë e këtij brezi kanë qenë një grup lojtarësh të talentuar të cilët kanë dhënë një kontribut shumë të madh në arritjen e fitores së disa trofeve.

Njëri prej tyre është padyshim edhe Marin Shestani. Po ndalemi tek ky personazh ngaqë pikërisht sot ai feston ditëlindjen e tij. Ai mbush 62 vjeç dhe me këtë rast gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Marin Shestani ka lindur në Shkodër më 5 mars 1960 dhe që në moshë të vogël nis të merret me basketbolli, edhe ngaqë me këtë sport tashmë merrej edhe e motra, e mirënjohura Xhuli.

Kalon me ekipin e parë të Vllaznisë që në moshë të re, vetëm 15 vjeç dhe në vitin 1975 do të jetë në mes më të mirë të këtij sporti në Shkodër. Ai do të shpallet dy herë kampion i Shqipërisë me Vllazninë në sezonet 1988-89 dhe 1992- 93.

Po ashtu, me ekipin shkodran ka fituar edhe dy herë Kupën e Republikës në vitet 1981 dhe 1985 duke shkruar kësisoj emrin e tij në librin e artë të fituesve të trofeve të klubit Vllaznia.

Një basketbollist që është dalluar për një përgatitje të mirë fizike, elegant në lojë dhe një lojtar me mjaft edukatë e kulturë. Një sportist që është dalluar për mbajtjen e një rregjimi të rreptë sportiv, si rrjedhojë e të cilit ka qenë gjithnjë në nivele të larta.

Dha gjithçka nga vetja e tij për basketbollin shkodran dhe si rrjedhojë mbetet një emër shumë i nderuar në historinë e klubit Vllaznia.
Gjergj KOLA