Trajneri Nevil Dede, foli në emisionin “Skaner” në MCN TV, për kualifikimin e Egnatias në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Sipas Dedes, suksesi i arritur, tregon se investimi te rrogozhinasit, ka qenë serioz dhe i mirëmenduar, teksa gjatë gjithë kohës kanë menduar si të përforcojnë skuadrën.

Ai deklaroi se Egnatia i ka mundësitë për të fituar Kupën e Shqipërisë.

“Investimi ka qenë serioz dhe i mirëmenduar tek Egnatia. Në çdo moment ata kanë menduar për të përforcuar skuadrën. Korniza mbyllet me Kasën dhe Duamena. Kanë bërë shumë mirë këtë sezon, mund të kishin arritur diçka më shumë në kampionat.

Në Kupë, u treguan një skuadër e pjekur. Ndaj Vllaznisë, u pa diferenca e Egnatias. Meritojnë vetëm komplimente, por duhet të mbyllin këto katër javë dhe më pas të mendojnë për Kupën, të cilën edhe mund ta fitojnë”- eshte shprehur Dede.