Nga këmbët e tij nis thuajse gjithmonë manovra sulmuese e kuqebluve. Ka shënuar tre gola, ka dhënë pesë asiste goli, ka goditur shtylla por edhe ka krijuar shumë raste shënimi. Këto janë statistikat e Demir Imerit, lojtarit që është shndërruar në protagonist tek Vllaznia e sivjetme.

Shumë prej specialistëve e konsiderojnë këtë lojtar pikë referimi të skuadrës shkodrane dhe i pyetur në lidhje me këtë gjë, vetë lojtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut, do të shprehej kështu për “Shkodra Sport”:

“Shiko, të kisha më shumë fat, ndoshta do isha dhe më lart në statistika. Ndihem mirë që dëgjoj këto fjalë, që është një motiv plus, të jap më shumë për ekipin. Unë e di sa mund të jap, besoj që mundem edhe shumë më shumë, shpresoj, stërvitem, kam besimin e trajnerit dhe do jap edhe shumë më tepër për këtë fanellë”.

Vlerësimet për këtë lojtar përgjithësisht janë pozitive, megjithatë ka edhe nga ata që mendojnë se Imeri është një individualist dhe kështu në fakt ndodhi edhe në një moment në ndeshjen e fundit kundër Partizanit, kur kishte mundësi të pasonte tek Ardit Hoxhaj apo Dilaver, por preferoi të gjuante vetë në portën e të kuqve. Në lidhje me këtë konstatim, sulmuesi i kuqebluve do të shprehej:

“Unë nuk jam individualist, siç e shprehin, e kam dëgjuar shumë herë këtë gjë, edhe pse unë për momentin jam asistuesi më i mirë i supërligës. Ai është mendimi i tyre, ndërsa unë do të vazhdoj të bëj lojën time, të shfaq ato detyrat që më jep trajneri në fushë dhe të bëj më të mirën për skuadrën./SHKODRA-SPORT.COM/