Mund të duket e çuditshme por është mëse e vërtetë. Një vajzë shkodrane që jeton në Itali, ka marrë pjesë në një garë me makina që përdorin energji alternative. Dhe ajo në mënyrë krejt të papritur për të gjithë, por jo për atë, ka zënë vendin e gjashtë në këtë garë, duke qenë e para për femrat dhe për rrjedhojë, automatikisht është shpallur kampione bote në këtë garë.Bëhet fjalë për 26 vjeçaren Desara Muriqi. Ajo gjithmonë ka qenë e apasionuar nga garat me makina dhe prandaj në tetor të viti 2011, ka marrë pjesë në disa nga provat e Kampionatit Botëror të FIA-s (Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit) për makinat me energji alternative.


 

Në garën e quajtur Eco-Rally  dhe që është zhvilluar në San Marino – Vatikan, që ishte gara e fundit e Kampionatit Botëro, ajo zuri vendin e parë për femra, duke u bërë kështu pilotja e parë shqipëtare që ka fituar pikë në klasifikimin botëror të FIA-s. Një sukses i veçantë ky për këtë vajzë shkodrane. Gjatë këtyre ditëve ajo ka qenë në Shkodër dhe nuk mund të mungonte një intervistë ekskluzive për gazetën online shkodrasport.com, ka deklaruar: “Jam shumë e apasionuar prej makinave dhe prej disa vitesh merrem me garat e makinave që përdorin energjinë alternative si burim ushqimi. Në garat e tetorit që zakonisht zhvillohen në San Marino, kam konkurruar me një makinë Jeep të tipit Gonoë GA200, prodhim kinez. Më e bukura ishte se në prezantimin e bërë para garës spikeri që përmendte konkurruesit, u ndal gjatë tek skuaderia jonë. Kemi një skuderi ndërkombëtare. Pilote nga Shqipëria, instruktore nga Ukraina, makina është kineze dhe impianti i saj italian. Mua më shumë më bëri përshtypje të përmendurit e fjalës Shqipëri që më bëri edhe më shumë krenare. Kam bërë më pas një garë të shkëlqyer, kam lënë pas shumë pilotë të mirë, madje edhe ish-kampionë bote dhe në fund jam renditur në vendin e gjashtë, por isha e para për femrat duke u shpallur kështu kampione bote në këtë gare që është në kalendarin e veprimtarive që organizon Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), federatë kjo që organizon edhe garat e Formula 1”. Ajo ka lënë pas kampionin italian Vinçenso Di Bela i cili është aktualisht nënkampion bote, po kështu edhe francezin Rajmond Durant, kampion në vitet 2009 e 2010. Fakti që Desara është nga Shkodra, duhet të na bëjë krenarë të gjithëve ne. Ajo ka lindur në këtë qytet në vitin 1985. Ka shkuar me familjen e saj në Itali ku është diplomuar në Fakultetin e Gjuhëve te Huaja në Universitetin e Sienës. Konkurron mes shumë pjesmarrësve nga e gjithë bota por flamurin shqiptar e ka kurdoherë pranë. E ka të vendosur në makinën e saj dhe për këtë ajo ndjehet krenare. “Jam krenare që kam përfaqësuar Shqipërinë në këtë garë, që flamuri jonë ka spikatur mbi të gjithë në fundin e saj. Jam krenare që kam lindur në Shkodër, këtu ku kam kaluar fëmijërinë time deri në moshën 16 vjeçe para se të largohesha për në Itali. Ajo që premtoj unë është se kudo që të garoj, flamurin shqiptar, do ta mbajë gjithnjë pranë”-premton Desara Muriqi. Përdorimi i makinave me energji alternative është në të mirë edhe të mjedisit prandaj kampionia e botës, mendon se kjo ide e kjo kulturë e përdorimit të këtyre makinave, duhet të fillojë edhe në Shqipëri për të ndihmuar në përhapjen e kulturës ambjentaliste dhe ekologjike. Por çfarë premton Desara për të ardhmen? “Gara e ardhshme do zhvillohet në mars në Montekarlo dhe unë premtoj të bëj një paraqitje të mirë ndonëse është një garë shumë më e fortë se ajo që u zhvillua në San Marino”-thotë në fund kampionia e botës për garat e makinave me energji alternative.

 

www.shkodrasport.com

 

 

 

 

 

 

 

 

Kampionia e botës në garat e makinave me energji alternative- Desara Muriqi duke u intervistuar për gazetën tonë.

Foto: Gjon GJEKA