Pak më shumë se dy javë na ndajnë nga ndeshja mes Shqipërisë dhe Skocisë në “Loro Boriçi” për Ligën e Kombeve dhe trajneri Kristian Panuçi ka marrë një lajm të mirë, jo nga kuqezinjtë, por nga kundërshtarët.

Shqipërisë i duhet medoemos një rezultat pozitiv për të evituar rënien në Ligën D, që do të ishte katastrofave për përfaqësuesen tonë si nga renditja në vazot e shortit të Euro 2020, ashtu edhe të ardhurat që sigurohen për futbollin shqiptar.

Por një ndihmë duket se ia japin në mënyrë indirekte vetë kundërshtarët, pasi Skocia po përballet me një krizë dëmtimesh në sulm. Stiven Neismith, ai që masakroi kuqezinjtë në ndeshjen e parë, mungon për shkak dëmtimi, pasi do t’i nënshtrohet një operacioni që do ta lërë jashtë fushave të lojës për 8 javë.

Ndërkohë, trajneri i Sëlltikut, Brendan Roxhers, la të kuptohet se edhe alternativa tjetër për sulmin e Skocisë, Lei Grifiths, mund të mos jetë në gjendje optimale për atë duel për shkak dëmtimi në pulpë.

“Nuk e dimë ende se kur mund të jetë në gjendje të kthehet në fushë”, tha Roxhers për lojtarin që do të mungojë në takimin që Sëlltik luan këtë javë në kampionat.

Kjo mund të detyrojë trajnerin Aleks MekLish të kthejë në skuadër veteranin Stiven Fleçer, i cili ka një vit pa luajtur me ekipin kombëtar. /vipsport/