Dominim absolut i çiklistëve të Vllaznisë edhe në etapën e dytë të Turit Çiklistik të Shqipërisë për zhuniorë. Nëse ditën e djeshme kanë qenë dy prej tyre në podium, sot tre shkodranë kanë zënë vendet e para.

Konkretisht, Astrit Kronaj është renditur i pari, Defrim Dholla i dyti dhe Bruno Kola i treti. Një paraqitje e shkëlqyer e çiklistëve kuqeblu të cilët tregojnë edhe njëherë se janë më të përgatiturit në vendin tonë për këtë sport.

Etapa e sotme ka qenë ajo me itinerar Pogradec- Bilisht- Korçë, e gjatë rreth 80 kilometra. Gara është shoqëruar me një ritëm të lartë ku nuk kanë munguar as shkëputjet e herëpashershme të çiklistëve të ndryshëm megjithatë deri në kthim nga Bilisht, të gjithë ata kanë qenë sëbashku në grup.

Por më pas, një shkëputje e befasishme e treshes shkodrane Kola- Kronaj dhe Dholla, i ka gjetur të papërgatitur sportistët e tjerë dhe për rrjedhojë ata kanë arritur jo vetëm të thellojnë distancën por edhe të mos arrihen më deri në finishin e Korçës.

Në Përfundim të saj, i pari që ka prerë finishin ka qenë Astrit Kronaj, duke lënë në vend të dytë shokun e ekipit Defrim Dhollën dhe në të tretin, fituesin e etapës së djeshme, Bruno Kolën.

Edhe në renditjen ekipore, Vllaznia është shpallur fituese e kësaj etape duke e thelluar edhe më shumë diferecën në renditje me ekipet e tjera. Në këtë mënyrë, pas dy etapash, ekipi shkodran kryeson renditjen e Turit Çiklistik me një diferencë prej gati 10 minutash me Skënderbeun e vendit të dytë.

Ndërsa në renditjen individuale, udhëheqin tre çiklistët e Vllaznisë, Bruno Kola, Astrit Kronaj dhe Defrim Dholla. Kur kanë mbetur edhe dy etapa deri në fund të Turit, duket se kuqeblutë po shkojnë të sigurtë drejt suksesit të dyfishtë, edhe si ekip edhe si individ.
www.shkodrasport.com