Vendimtar në derbi dhe një ndeshje mjaft të mirë ndaj Teutës, sulmuesi i Partizanit, Rubin Hebaj duket se po gjen formën e mirë me skuadrën e kuqe. Sot para mediave, ai u shpreh se mundohet të japë më të mirën në çdo takim, ndërkohë që ka folur edhe në lidhje me ndeshjen e radhës ndaj Kukësit. Sakaq, Hebaj ka folur edhe në lidhje me merkaton dhe një afrim të mundshëm të Shkurtajt.

“Teuta? Besoj se bëra ndeshje deri diku të mirë por në çdo ndeshje mundohem të jap maksimumin. Pastaj varet si gjykohet nga analistët dhe tifozët, por mendoj se bëra një ndeshje të mirë.

Shkurtaj? Nuk më vjen keq pasi futbolli kështu është ka konkurrencë në ekip. Edhe nëse vjen ai, nuk ka problem pasi të gjithë luftojnë për të luajtur. Edhe nëse nuk vjen është e njëjta gjë dhe të them të drejtën nuk ndihem keq.

Unë kam ardhur për një vit dhe nëse drejtuesit duan të diskutojmë do të diskutojmë. Deri më tani nuk ka asgjë. Në fillim kisha pak presion por u ambientova shpejt dhe nuk hasa shumë vështirësi më vonë.

Humbja e besimit? Nuk është humbje besimi kur mendon se nuk do të luash por është mendim kur je në stol. Edhe nëse futesh vetëm 5 minuta, mund të shënosh 2 gola. Unë hyra dhe shënova.

Tifozët? Na vjen keq pasi janë mbështetje e madhe. Kudo të jesh me tifozë, është atmosferë e mirë ndërsa është e vakët kur nuk ka tifozë. Shpresoj t’i kënaqim tifozët që na shohin nga jashtë këtë takim.

Kombinimi më i mirë? Varet nga trajneri se si jepen detyrat taktike apo teknike për specifikën e ndeshjes. Për të gjithë lojtarët flas mirë pasi janë shokët e mi. Me të gjithë kombinohem mirë pasi mundohen të japin më të mirën. Kushdo që të luajë shkon mirë me shokun.

Ndeshja me Kukësin? Ne jemi më të qetë se Kukësi pasi jemi 5 pikë para. Shpresoj të fitojmë dhe ta mbajmë distancën kaq. Shpresoj mos të jem vetëm ndaj mbrojtësve të Kukësit por të kem edhe mbështetjen e shokëve. Kanë vite në Superiore dhe i respektoj. Do të japin më të mirën dhe unë do të mundohem të jap më të mirën.

Vazhdimësi apo gola në ndeshje të mëdha? Do të doja vazhdimësi. Realisht është bukur të shënosh në derbi, por do të doja më shumë të shënoja në mënyrë të vazhdueshme sesa në një ndeshje”, u shpreh Hebaj. /VipSport/