Terrenin që Laçi ka humbur në dy javët e fundit me kreun ka mundësi që ta rikuperojë disi në ndeshjen e sotme me Kastriotin. Kjo mundësi vjen nga frenimi që pati Tirana në derbi, që barazoi 0-0 me Partizanin.

Në rast fitoreje me krutanët, të besuarit e trajnerit Mirel Josa do të kenë mundësi që ta shkurtojnë në 6 pikë distancën me bardheblutë, si dhe duke hapur sërish garën për titull.

Për vetë kundërshtarin që ka përpara, Kastriotin, që luan në shtëpi dhe synon trepikëshin për mbijetesë, i bie që kurbinasit të ndodhen përballë një prove zjarri.

Për ta kryer me sukses misionin kërkohet që sot sulmi i Laçit të bëjë detyrën, ku pa dyshim pritet shumë nga treshja MazrekajGuindo-Adeleke.

Gjasat janë që në këtë transfertë me Kastriotit, laçianët të zbresin në fushë me të njëjtën përbërje si në ndeshjen e fundit me Egnatian.

Dy përballjet e shkuara të këtij sezoni mes dy ekipeve janë fituar nga kurbinasit, 1-0 në Kamzë dhe 2-0 në Laç.