Kukësi asnjëherë nuk luan me të njëjtin formacion dhe shpesh ka shumë lëvizje nga ndeshja në ndeshje. E njëjta situatë pritet të jetë edhe ndaj Vllaznisë, ku nuk dihet se me cilët titullarë do ta nisë italiani ndeshjen.

Shumë lëvizje janë bërë gjatë seancave stërvitore, ndërsa për këtë përballje Longo ka mungesën e Shqiprim Taipit të dëmtuar, ashtu si edhe të Kreshnik Bahtirit, ndërsa pjesa tjetër duket e gatshme.

Dilema më e madhe është aktivizimi i Shkurtajt titullar apo qëndrimi në stol, teksa janë rritur shanset që nga minuta e parë ta nisë Puntus, i cili golin e vetëm të kampionatit e ka shënuar ndaj Vllaznisë.

Gjithashtu, në krahun e majtë të mbrojtjes, Musta është i favorizuar ndaj Ndrecës, gjithnjë nëse elbasanasi nuk do të përdoret si sulmues. Pjesa tjetër pritet të mos ketë ndryshime, edhe pse në Kukësin e këtij sezoni çdo ndryshim nuk quhet më befasi.