Herald Marku vendosi sot sfidën mes Vllaznisë dhe Kukësit me një gol në minutën e 96-të. Ai ishte përgatitur të shënonte nge penalltia, por ajo u anulua me VAR. Gjithsesi, ai tundi rrjetën pak sekonda më vonë teksa tregoi për RTSH Sport se adrenalina e një goli të tillë ishte shumë e veçantë.

“Më erdhi shumë keq për anulimin e penalltisë, nuk e kam parë tani mbrapa në video të them të drejtën. Për aksionin e golit jam normalisht shumë i gëzuar, ishte një kombinim shumë i mirë me Kaina. Gjatë javës kemi pasur komunikim shumë të mirë me Kaina, ndodhi edhe në fushë, më dha top shumë të mirë dhe nuk hezitova fare dhe e godita menjëherë dhe më vjen mirë që shënova.

Kur ndërron ambient dhe rikthehesh, sigurisht që pavarësisht ndjesisë të mirë që ke, duhet të rifitosh përsëri pozicionin që ke pasur. Duhet të ketë punë të madhe nga ana ime dhe të arrij të ndjehem te klubi si dy vite më parë.

Goli në fund? Ndjesi fantastike, unë kam shënuar edhe më parë por goli në minutat e fundit ishte një adrenalinë shumë e madhe, si dhe zhurma e tifozerisë dhe stolit në festë. Ishte një gëzim shumë i madh. Përtej golit jam i lumtur me tre pikët se pas asaj disfatë me Erzenin, e kemi lënë pas dhe na duhej ky trepikësh për të kthyer pak entuziazmin në ekip dhe për ta çuar më përpara”, tha Marku.