Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka konsideruar absurde vendimet e Gjykatës për pezullimin e zgjedhjeve më 2 mars. Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Duka u shpreh se vendimet ishin të inskenuara në mënyrën më të turpshme, por më pas u tërhoqën nga vetë ankimuesit.

Koha e humbur kot, cenon futbollin. Unë nuk jam dakord me asnjë nga vendimet që kanë qenë për pezullim, pavarësisht se ato janë tërhequr nga vetë ankimuesit. Janë inskenuar në mënyrën më të turpshme të mundshëm nga dirigjenti jashtë gjykatave. Megjithatë ne i kemi respektuar. Kemi pritur që të tërhiqen. E konsideroj kohë të humbur këtë. Nuk besoj se jep ndonjë fryt për federatën. Vendimet kanë qenë absurde.

Pavarësisht se ne i kemi respektuar, të gjitha ankimet duhet të bëhen në rrugë sportive. Në gjykata sportive dhe në shkallën e fundit në Lozanë, në CAS. Në këtë drejtim, ato kanë qenë ankime të paligjshme, por ne i kemi respektuar të gjitha, për të mos lënë një vend për t’u kapur nga të tjerët më vonë.

Duka kërkoi një bashkim në emër të futbollit dhe për të ardhmen e fëmijëve në Shqipëri.Në risk jemi çdo ditë, sa dalim nga shtëpia. Ne po flasim për gjëra normale se çfarë do të ndodhë. Nëse dikush i ka në dorë për të lëvizur gjërat në këtë vend, atëherë risku është më i madh.

Kërkoj një bashkim në emër të lojës dhe jo në emër të Armand Dukës. Ne këtu jemi për futbollin. E ardhmja e fëmijëve duhet t’i bashkojë të gjithë për të njëjtin qëllim. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të kemi kritika për njëri-tjetrin.

Të gjitha Asambletë kanë qenë “Fair Play”. Nuk besoj se në ndonjë organizatë tjetër në Shqipëri, do të ketë më mirë se këtu.