Opionion nga Fatjon RUPI

Shumë skuadra të futbollit tonë kanë historinë e tyre, traditat e tyre, stilin e tyre të lojës. Këto gjëra janë të ditura publikisht dhe këto skuadra nuk mund të konceptohen pa ju përmbajtur karakteristikave të tyre, sepse në të kundërt, do të humbisnin identitetin e tyre. Natyrisht që kur skuadra i devijon stilit të saj do të ketë një reagim në radhët e tifozëve të saj, madje edhe të fuqishëm.

Në këtë vorbull është sot Vllaznia, që është një nga skuadrat më tipike të futbollit tonë kombëtar. Shkodra, që njihet si djepi i futbollit shqiptar, pëlqen futbollin e bukur, atë sulmues dhe me ritëm të lartë. Tifozët shkodranë e kanë treguar gjithmonë dhe në këtë drejtim mund të jenë unikalë, se e duartrokasin futbollin e bukur, edhe kur atë e luan skuadra kundërshtare. Shkodra nuk e pëlqen atë futboll të bezdisshëm, që prodhon ose jo një gol në 90 minuta, që i bën tifozët pishman që kanë ardhur në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Ky lloj futbolli, që sot me njihet me termin “futboll pragmatist”, nuk i shkon për shtat Shkodrës. Tifozët e Vllaznisë nuk mund të pajtohen me këtë lloj futbolli, që skuadra e sotme dhe trajneri Shpëtim Duro po u servir në këtë kampionat.Trajneri kryeqytetas ka zgjedhur vendin e gabuar dhe skuadrën e gabuar për të përcjellë idetë e tij të trajningut. Të kuptohemi, këto ide nuk janë të gabuara. Trajneri Duro meriton respekt për punën që ka bërë dhe po bën në futbollin tonë, por në këtë rast duket se është vërtet kundravajtje. Shumë mirë ai mund të punonte në këtë mënyrë me çdo skuadër tjetër, mjafton që rezultatet t’i jepnin të drejtë, por vetëm në Shkodër jo. Nuk shkon fare që shkodranët të shohin në fushë një skuadër “të frikësuar”, që shënon një gol dhe më pas mbrohet me të gjitha forcat, edhe me 5 mbrojtës. Eshtë njësoj sikur këtë gjë ta bënte një trajner i njohur, le të themi italian, në futbollin brazilian, argjentinas apo atë spanjoll etj. Imagjinoni çfarë reaksioni do të kishte…Disa gjëra janë të qarta, e imponon vetë tradita. Vllaznia ka fituar më parë jo pak trofe pikërisht me stilin e saj, me futbollin tipik shkodran dhe jo duke qëndruar në mbrojtje. Tifozët shkodranë ia kanë thënë hapur: “Profesor, më mirë të humbasim dhe të luajmë mirë sesa kështu”.
Vetë trajneri Duro ka thënë se nuk e ka marrë për bazë këtë frazë. Ai e ka argumentuar gjithçka me faktin se, pavarësisht nivelit të lojës, nëse nuk do të kishte marrë pikët që ka sot, nuk do të ishte më trajner i Vllaznisë. Dhe ka plotësisht të drejtë, por në këtë mes është thjesht një arritje personale për të, jo për skuadrën që përfaqëson.
Në fakt, të gjithë tifozët shkodranë duan të shohin se çfarë bën konkretisht skuadra në fushë dhe jo sa pikë ka ajo dhe se çfarë bën trajneri në stërvitje. Në rastin konkret, tifozët shkodranë do ta kujtojnë Vllazninë aktuale si një skuadër të dobët, si “mish të huaj” në stadiumin “Loro Boriçi”, edhe pse qëndron në vendet e kreut. Në konceptin e tyre futbolli është art, spektakël, shpejtësi dhe … gola.
Nuk mund të bësh futboll pragmatist në Shkodër, sepse në këtë qytet nuk do ta kuptonin asnjëherë këtë lloj futbolli, le të dilte Vllaznia edhe kampione e vendit.