Serxhio Ramos nuk do të veshë më fanellën e Spanjës. Vendimin e ka bërë publik nëpërmjet rrjete sociale vetë mbrojtësi i njohur spanjoll, i cili ka bërë të ditur se biseda e fundit me trajnerin Luis De La Fuente e kishin shtyrë të bënte publik vendimin.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Ramos tregoi se në bisedën e fundit, De La Fuente i kishe bërë të qartë se nuk do ta grumbullonte pavarësisht formës që po kalonte. Kështu, mbyllet një karrierë ndërkombëtare e mbushur me sukses, në 180 ndeshje të luajtura dhe 23 gola të shënuar. Me fanellën e kësaj përfaqësueseje, Ramos ka fituar dy Kupa Europe si dhe Botërorin e vitit 2010, duke qenë një nga shtyllat e brezit të artë të iberikëve.
“Ka ardhur koha, koha për t’i thënë lamtumirën Kombëtares, të kuqes tonë të shtrenjtë dhe emocionuese. Sot në mëngjes mora një telefonatë nga trajneri aktual, i cili më tha se nuk më llogarit dhe se nuk do të më llogarisë më mua, pavarësisht nivelit që mund të tregoj apo si do të vazhdoj karrierën time sportive. Me keqardhje të madhe, është fundi i një rrugëtimi që shpresoja të ishte më i gjatë dhe që do të përfundonte me një shije më të mirë, në të njëjtin nivel me të gjitha sukseset që kemi arritur me të kuqen tonë.
Besoj me përulësi se kjo trajektore e meritonte të përfundonte për shkak të një vendimi personal ose sepse performanca ime nuk ishte në atë që meriton Kombëtarja jonë, por jo për shkak të moshës apo arsyeve të tjera që, pa i dëgjuar, i kam ndjerë. Sepse të qenit i ri ose më pak i ri nuk është një virtyt apo defekt, është thjesht një karakteristikë e përkohshme që nuk lidhet domosdoshmërisht me performancën apo aftësinë.
E shikoj me admirim dhe zili Modriç, Mesi, Pepe… thelbin, traditën, vlerat, meritokracinë dhe drejtësinë në futboll. Fatkeqësisht nuk do të jetë kështu për mua, sepse futbolli nuk është gjithmonë i drejtë dhe futbolli kurrë nuk është vetëm futboll. Për të gjitha këto, e supozoj me këtë trishtim që dua të ndaj me ju, por edhe me kokën lart dhe shumë mirënjohës për gjithë këto vite dhe për gjithë mbështetjen tuaj.
Unë marr me vete kujtime të pashlyeshme, të gjithë titujt për të cilët kemi luftuar dhe festuar së bashku, dhe krenarinë e jashtëzakonshme që kam qenë lojtari spanjoll me më shumë paraqitje. Kjo stemë, kjo bluzë dhe këta tifozë, të gjithë ju, më keni bërë të lumtur. Do të vazhdoj të bëj tifo për vendin tim nga shtëpia me emocionin e personit të privilegjuar që ka mundur ta përfaqësojë me krenari 180 herë. Faleminderit nga thellësia e zemrës për të gjithë ju që keni besuar gjithmonë në mua!”, shkruhej në publikimin e Ramos.