Situata te Dinamo është agravuar edhe më shumë. Sikur të mos mjaftonte humbja shokuese me Egnatian, teksa blutë mbetën të parafundit dhe rrezikojnë shumë të bien në Kategorinë e Parë, në ekip ka edhe probleme të tjera.

Klubi i ka komunikuar mbrojtësit Eni Imami dhe portierit Edvan Bakaj largimin nga stërvitja e ekipit të parë dhe spostimin te skuadra U-19. Kjo masë si pasojë e mungesës impenjimit.

Klubi ka dyshuar për ndeshjen e fundit me Egnatian se disa titullarë nuk kanë pranuar të aktivizohen, ndërsa pas ndeshjes në dhomat e zhveshjes lojtarët kanë dalë kundër trajnerit Vanoli për skemën e lojës që u përdor me rrogozhinasit.

Ndërkohë, drejtuesit besojnë ende që Dinamo mund të mbijetojë. Edhe ish-trajneri Bledi Shkëmbi, i ftuar në emisionin Sport News Plus, u shpreh se Dinamo ka shanse akoma, por tani duhet që futbollistët vetë të marrin përgjegjësitë dhe tregojnë forcë karakteri.

Dinamo pret Kastriotin në fundjavë dhe kjo sfidë kthehet në jetë a vdekje, ku vlen vetëm fitorja. Ndryshe, blutë janë me një këmbë në Kategorinë e Parë.(BalkanWeb)