Kërcënimet me vdekje që mori pak ditë më parë bëjnë që mesfushori argjentinas Angel Di Maria të ndryshojë mendje në lidhje me të ardhmen e tij. “Fideo” në fakt u kërcënua me vdekje në Argjentinë nga disa tifozë, apo pseudo-tifozë, të Rosario Central, të cilët ishin kundër rikthimit të tij në ekipin me të cilin u rrit.

Një episod i shëmtuar, që, siç tha Rodrigo de Paul, e la në lot ish-mesfushorin e Real Madrid dhe Juventus. Sipas “A Bola”, incidenti, në të cilin përfshihej një makinë, ndoshta e lidhur me trafikun lokal të drogës, do të kishte pasoja te lojtari.

Rikthimi në Argjentinë, në fakt, do të ishte padyshim më pak i mundshëm dhe Di Maria do të negocionte rinovimin e kontratës së tij me Benfika, ekipin portugez ku po luan aktualisht. Një skenar ky i konsideruar i largët deri pak ditë më pare, pasi kampioni i botës donte rikthimin në vendlindje.

Alternativat e tjera do ta çonin Di Maria në Katar. Klubet nga Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu janë shprehur të interesuara për transferimin e mesfushorit 36-vjeçar./telesport/