Seria A vazhdon të luhet e gjymtuar, me ndeshje që zhvillohen apo jo në varësi të krahinave që janë goditur nga koronavirus dhe sa është përhapur infeksioni atje.

Në një situatë kaq anormale, dita e shtunë është mbyllur me Lacion kryesuese të Serisë A dhe Napolin që arrin vendin e 6, që garanton pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

Gjatë pasdites, Lacio likuidoi me shifrat 2-0 Bolonjën, duke marrë kryesimin e Serisë A, me 62 pikë, por me Juventusin e Interin që kanë ndeshje më pak të luajtura, sigurisht situata mund të ndryshojë më vonë.

Luis Alberto dhe Korrea shënuan dy golat që vendosen ndeshjen që në pjesën e parë, duke kthyer lacialët në majë të klasifikimit duke u dhënë një shtysë të rëndësishme për vijimin e këtij sezoni.

Ndërkohë, në darkë Napoli mundi 2-1 Torinon që vazhdon të humbasë dhe nga një skuadër me ëndrra europiane, është kthyer në ekip që rrezikon të përfshihet në vallen e mbijetesës. Manolas në pjesën e parë dhe Di Lorenco në të dytën vulosën suksesin e napolitanëve të cilët rrezikuan vetëm në fund me anë të Edera, i cili shënoi në shtesë.

Kjo fitore çon Napolin në vendin e 6 të renditjes të Serisë A dhe mban skuadrën e Gatuzos në rrugën e duhur për të synuar, edhe pse duket e pamundur, që të kërkojë kualifikimin në Ligën e Kampioneve me vendin e katërt që është 6 pikë larg. /vipsport/