Edi Martini është zgjedhur si trajneri më i mirë i muajit shkurt nga Oversport. Risia e platformës që ka siguruar të drejtat e transmetimit të futbollit shqiptar për 3 sezone i buzëqesh trajnerit të Teutës, i cili ka pasur ecuri pozitive në këtë periudhë duke larguar skuadrën nga zona e ftohtë që të zbret një kategori më poshtë.

Në muajin shkurt, Teuta nuk ka pësuar asnjë humbje duke regjistruar tre fitore dhe një barazim. Në këto sfida durrsakët nën drejtimin e Martinit kanë mposhtur dy rivalë direkt si Bylis dhe Kukësi, por gjithashtu kanë arritur një fitore të rëndësishme përballë kampionëve në fuqi të Tiranës. Barazimi i vetëm ka qenë në derbi përballë Erzenit.

Në muajin shkurt Teuta ka realizuar 5 gola, ndërsa ka pësuar vetëm 1, pikërisht në sfidën që u mbyll barazim me shijakasit. Edi Martini bëhet kështu trajneri i pestë që fiton çmimin Oversport si trajneri më i mirë i muajit.

Pas çmimit të fituar, Edi Martini foli për Oversport ku u shpreh ndër të tjera se ky është një çmim që e meritojnë më shumë lojtarët e Teutës se ai vetë. “Unë ju falenderoj që më dhatë këtë çmim. Është një motivim më shumë për punën e bërë, por mendoj se këtë çmim e meritojnë më shumë djemtë e mi se sa unë”, tha ndër të tjera Edi Martini.