Kristiano Ronaldo u ngjit në kuotën e 800 golave në karrierën e tij pas dopietës 3-2 në fitoren kundër Arsenalit të enjten. Dopieta e tij për Mançester Junajtidin kundër “Topçinjve” e dërgoi në 801 totalin e golave të tij në 1095 ndeshje si profesionist. Për sulmuesin 36-vjeçar ishin golat e 11-të dhe 12-të në 17 ndeshje që kur është rikthyer në “Old Trafford”.

Dhe të mendosh se ka nga ata që thonë ende se ai e çekuilibron skuadrën e Junajtidit. Argumenti është se transferimi i tij i vonë prishi planet e Solskjaerit. Ai nuk ushtron mjaftueshëm presing sipas tyre, për t’u përshtatur me sistemet moderne të futbollit të ditëve të sotme.

Por, fakti që pjesa e tij më e rëndësishme është të shënojë gola dhe këtë ai po e bën më së miri, anashkalohet. Askush nuk finalizon me një saktësi të tillë siç ka bërë CR7 në 19 vite karrierë. “Këtë bën ai në ndeshjet e mëdha. Kur ke nevojë për të, ai shfaqet. Ai është aq i qetë, nuk panikoset kur ka një rast”, tha Majkëll Karrik, i cili e drejtoi për herë të fundit skuadrën në “Old Trafford” të enjten.

Por, Ronaldon e ndeshjes së fundit e pamë të punonte edhe në drejtimin që Rangnik e ka merak. Ai bëri 27 herë presing kundër “Topçinjve”, shifra më e lartë gjatë një ndeshjeje këtë sezon (mesataren e ka 14.4 çdo 90 minuta).

GOLAT – 5 gola me Sportingun e Lisbonës, 130 me Mançester Junajtidin, 450 me Realin e Madridit, 101 me Juventusin dhe 115 me Portugalinë është gjeografia e 801 golave të CR7-ës në karrierën e tij në 1095 ndeshje në total.

Brenda zonës ka shënuar 85.5% të golave (685) dhe 116 të tjerë i ka realizuar nga distanca (14.4%): 510 gola me të djathtën (63.6%), 149 me të majtën (18.6%), 140 me kokë (17.4%) dhe 0.2% me pjesë të tjera të trupit (2).

Kristiano shënon më shumë në pjesën e dytë: 444 gola (55.4%) ndaj 351 golave që kanë ardhur në 45 minutat e para (43.8%). 0.7% e golave të tij i kemi parë në kohën shtesë (6). 142 penallti, 58 tregolësha dhe 57 gola me goditje dënimi kompletojnë gjeografinë e golave të pesë herë fituesit të “Topit të Artë”.