Vllaznia u ndal në barazim në ndeshjen e fundit përballë Partizanit dhe kështu shkodranët e shohin veten shumë larg kreut. Ish-futbollisti i Vllaznisë vite më parë, Alket Kruja, ka folur sot për “Shkodra Sport” teksa është ndalur në ecurinë e kuqebluve këtë sezon, duke thënë se shkodranët mund të pretendojnë deri në fund për titullin kampion.

“Ruaj shumë kujtime nga ajo periudhë aktivizimi me Vllazninë. Ka qenë një periudhë shumë e bukur. Sapo vazhdova të luaj në Superligë. Vllaznia është djepi i futbollit dhe është kënaqësi edhe sot kur e kujtoj Vllazninë, kur e shoh në TV, ndiej emocione, jo më të luash për ngjyrat e Vllaznisë, që ka nxjerrë kollosë të futbollit shqiptar dhe të Kombëtares, që me i përmend duhet një listë e gjatë.

Një ndër ta po përmend të ndjerin Ramazan Rragami, që e kam pasur edhe trajner. Vllaznia është një fanellë e rëndë dhe djepi i futbollit shqiptar. Vllaznisë nuk i takon të jetë në këto nivele, por të jetë gjithmonë për kampion.

Vllaznia e këtij sezoni nga pikëpamja ime, ka pasur shumë oshilacione. Eshtë një ekip që me punën e trajnerit Brdariç, është krijuar një ekip i mirë, por prapë nuk e shikoj të jetë aty ku Vllaznia meriton me qenë.

Këto ndeshje, si nesër, ndaj Skënderbeut, për mendimin tim, nuk duhet të shihen lehtë. Skënderbeu luan jetë a vdekje dhe Vllaznisë i duhet se s’bën fitore për t’u futur në “vallen” e ekipeve për titull kampion.

Vllaznia mund të pretendojë, sepse shkodranët vjet ishin 12 pikë para dhe gjithë opinionistët apo trajnerët e cilësuan që do të jetë ekipi kampion, ku në fund dështoi. Sivjet, për mua prapë, Vllaznia nuk është larg objektivit të vet”,-mbylli prononcimin e tij, ish-futbollisti i Vllaznisë, Alket Kruja.
Maringlen ZHIVANI