Skuadra e Besëlidhjes ka nisur nga puna për ndërtimin e skuadrës për edicionin e ri, e cila do të garojë në Kategorinë e Dytë. Pak javë më parë, hodhi të “zezën mbi të bardhë” trajneri lezhjan Dritan Smajli dhe ky i fundit nga nisur menjëherë nga puna për ndërtimin e skuadrës për edicionin e ri.

Kështu, nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se së fundmi, drejtuesit e Besëlidhjes kanë arritur marrëveshjen për të rinovuar me dy futbollistët shkodranë, mjaft të njohur prej vitesh për kampin lezhjan. Fjala është për kapitenin Klejdi Dibra dhe mesfushorin Samet Hepaj, të cilët edhe sezonin e shkuar janë aktivizuar në rradhët e Besëlidhjes.

Dibra u aktivizua në 22-ndeshje me skuadrën lezhjane, por pa mundur dot që të realizonte asnjë gol. Në anën tjetër, Hepaj u aktivizua në 21-ndeshje me skuadrën lezhjane, teksa ka arritur që të realizojë edhe një gol ndaj Turbinës së Cërrikut.

Në fakt, duket se performanca e tyre në sezonin e shkuar e ka bindur stafin tek dhe trajnerin Dritan Smajli se kjo dyshe shkodrane mund të bëjë mirë në edicionin e ardhshëm për të ngjitur Besëlidhjen sërish në Kategorinë e Parë.

Tashmë, në ditët në vijim gjithçka pritet të zyrtarizohet mes palëve, me Klejdi Dibrën dhe Samet Hepajn që duket se do të jenë pjesë e Besëlidhjes edhe në edicionin e ardhshëm.
Maringlen ZHIVANI