10 maji 2023 do të mbahet mend gjatë në Rrogozhinë. Skuadra e Egnatias ditën e djeshme arriti të shkruante historinë në Kupën e Shqipërisë. Skuadra rrogozhinase për herë të parë në historinë e saj ka arritur të kualifikohet në finalen e Kupës.

Një arritje historike kjo për djemtë e Edlir Tetovës, që këtë sezon po tregohen një nga skuadrat më të forta për çdo kundërshtar, teksa edhe në tabelën e klasifikimit janë forcë e 3-të, duke u renditur pas Tiranës dhe Partizanit.

E sigurisht që arritja në finalen e Kupës nuk do të kalojë pa shpërblim. Presidenti Agim Demrozi ka menduar të shpërblejë skuadrën për këtë sukses. Sipas shtypit të shkruar raportohet se 7 milionë lekë do të shpërndahen si premio te lojtarët dhe stafi i skuadrës.

Titullarët me shumë gjasa do të marrin nga 400 mijë lekë, teksa pjesa tjetër do t’u shpërndahet edhe stafit dhe lojtarëve të stolit. Kjo shërben edhe si një lloj motivimi për lojtarët që të vazhdojnë me rezultatet pozitive, teksa fitimi i trofeut nuk është më një “utopi”./newsport/