Viti 2014 pritet të jetë sërish I mbarë për atletikën shkodrane. Pasi ka siguruar të gjithë titujt kampion vitin që lamë pas, do tentojë të njëjtën gjë edhe për këtë vit. Përgatitjet ndërkohë kanë nisur, për garën e parë të këtij viti. Disa prej sportistëve janë dy herë në ditë në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”, pikërisht me objektivin për t’u përgatitur sa më mirë për këto gara. Njëri nga atletët më të mirë të Vllaznisë, Elvedin Meti në një intervistë për gazetën tonë, ka theksuar se objektivi i tij personal për të, është natyrisht shpallja kampion por edhe tentimi për të thyer rekordin kombëtar të 200 metrave.


“Objektivat e mia janë të qarta, shpallja kampion kombëtar edhe për këtë vit dhe mbi të gjitha, do të synoj thyerjen e rekordit kombëtar në garën e 200 metrave. Gëzoj një formë shumë të mirë sportive dhe përpos kësaj, po stërvitem me shumë dëshirë prandaj dhe besoj se do kem sukses”- ka thënë ai. Ndërkohë, pa shkuar tek kampionati kombëtar, gara e parë për vitin 2014 është kampionati dimëror i sallave të mbyllura dhe më pas Kampionati Ballkanik. Edhe për këto aktivitete, Meti ka objektiva të qarta për të qenë ndër më të mirët sepse edhe forma që gëzon është shumë e mirë. “Sigurisht që në garën e parë të këtij viti do të kërkoj zënien e vendit të parë, për të fituar pastaj të drejtën e pjesmarrjes në Kampionatin Ballkanik, për të rivalizuar me atletët e tjerë të Rajonit tonë që sigurisht stërviten në kushte më të mira por prapëseprapë unë kam pretendimet e mia, gjithsesi do ia lëmë garës”- ka thënë kampioni Meti. Atletika shkodranë kësisoj është në rrugë të mbarë për të arritur jo vetëm suksese në arenën kombëtare, shoqëruar me tituj kampionë dhe përpjekje për të thyer rekordet kombëtare, por për të marrë medalje edhe në arenën ndërkombëtare.
Gjergj KOLA