Në asnjë ndeshje që zhvillohet në Shkodër, nuk mungon të jetë në tribunën e “Loro Boriçit” për të ndjekur e mbështetur Vllazninë.

Ish- kapiteni i saj Elvin Beqiri, padyshim që i është gëzuar fitores ndaj Teutës sepse ka qenë një sfidë shumë delikate.

Duke folur në lidhje me këtë takim, ai do të shprehej: “Para disa javësh, Teuta ishte mbi Vllazninë në renditje ndërsa tashmë gjërat kanë ndryshuar.

Me fitoren e djeshme ekipi shkodran është më i qetë por gjithsesi nuk ka mbaruar asgjë. Ka edhe shumë javë në vazhdim dhe shpresojmë që të vazhdojë me këtë ritëm. Ekipit i duhen fitoret në këto momente.

Nuk ishte një ndeshje aspak e lehtë ajo ndaj Teutës, një rival direkt ky i Vllaznisë. Por ekipi reagoi mirë, e shfaqi me dëshirën që tregoi në fushën e lojës.

Ai gradualisht po del në lojën e tij. Por duhet të presim ende për të parë Vllazninë e vërtetë”.

Po, a mund të quhet tashmë e shpëtuar skuadra shkodrane ngaqë ka lënë poshtë vetes dy skuadra në renditje.

Beqiri thotë që “jo” dhe sipas tij, ekipit i duhen edhe disa fitore prandaj shton:

“Është akoma herët për të thënë nëse Vllaznia tashmë i ka shkëputuar rrezikut të rënies sepse ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur.

Tashmë nuk duhet të na interesojë ecuria e skuadrave të tjera. Duhet të fokusohen vetëm tek puna e vet.

Padyshim që duhet punuar fort në mënyrë që Vllaznia të marrë pikë edhe në Gjirokastër.

Tashmë lufta duhet të jetë me këtë skuadër në mënyrë që pse jo, pas disa javësh të kalohet edhe ajo në renditje.

Prandaj, kurrsesi nuk duhet humbur këtë javë me Luftëtarin”.
© shkodrasport.com