Pas përfundimit të ndeshjes së kthimit kundër AEL Limasolit dhe eliminimit nga Kupat e Europës, Vllaznia ka marrë pushimet. Stafi teknik u ka dhënë 10 ditë pushim futbollistëve. Një pushim që, në fakt, e kanë pasur të nevojshëm, sepse prej 45 ditësh ata janë stërvitur e kanë luajtur në temperatura shumë të larta.

Ndërkohë, stafi ka planifikuar që ekipi të rikthehet në fushë më datë 9 gusht. Sipas parashikimeve të bëra, Vllaznia do të stërvitet për një javë në Shkodër. Këto 10 ditë pushim po shfrytëzohen si duhet nga futbollistët, por edhe nga trajnerët, sepse më pas do t’i përvishen përsëri punës.

PLANI – Pas 10 ditësh pushim, Vllaznia do të rikthehet në fushë për të filluar me përgatitjet. Skuadra fillimisht do të stërvitet në Shkodër për një javë, periudhë kjo që do t’i shërbejë edhe për merkaton.

Nga datat 14-15 gusht, pritet që shkodranët të lënë Shqipërinë, pasi pjesën më intensive të përgatitjeve për sezonin e ri do ta zhvillojnë sërish jashtë vendit. Ende nuk është e qartë nëse Vllaznia do të zgjedhë përsëri Serbinë, aty ku ishin edhe në qershor.