Peshëngritësi shkodran Emanuel Lushi dhe trajneri i tij Muhamet Tuzi do të përfaqësojnë Shqipërinë në një turne ndërkombëtar që do të zhvillohet në datat 5-8 dhjetor në “Grand Prix”-in e Bakusë në Azerbajxhan. Me ftesë të federatës homologe, që merr përsipër edhe mbulimin e faturës financiare të këtij konkurrimi, Shqipëria ka përzgjedhur Emanuel Lushin e peshës 62 kg dhe Alban Hoxhën e peshës 69 kg. Sipas rregullores së organizatorëve, vetëm këto dy pesha për meshkuj dhe dy për femra, përkatësisht në 53 e 58 kg, kanë të drejtën e garimit.

Përveç medaljeve dhe trofeve respektivë, sipas vendit pritës të turneut ndërkombëtar tri vendet e nderit shpërblehen me premio: kampioni përfiton 5000 dollarë; nënkampioni përfiton 3000 dollarë dhe vendi i tretë 2000 dollarë. Zyrtarisht për gazetën mësohet se pjesë e delegacionit do të jetë trajneri Muhamet Tuzi (trajneri i Vllaznisë). I riu Lushi rikthehet në pedanën ndërkombëtare pas triumfit të tij në Europianin e U-17 të mbajtur në shtator në Klaipeda të Lituanisë. Po në peshën 62 kg, Lushi do të fitonte medalje të bronztë në stilin e shkëputjes me 111 kg të ngritura (mes 13 bashkëmoshatarëve nga kontinenti); do të zinte vendin e 7-të në shtytje me 126 kg, ndërsa në dygarësh u klasifikua i 4-ti me 237 kg. Në këtë mënyrë, ky do të jetë një tjetër test i rëndësishëm për këtë sportist në arenën ndërkombëtare për t’u përfaqësuar denjësisht dhe për të treguar vlerat e tij.