Stadiumi “Civitas Metropolitano”, e mërkurë 13 mars, ora 21:00. Në shtëpinë e Atletikos së Diego Simeones, Interi do të luajë fatet për kualifikimin në çerekfinalet e Champions Leagues.

Një hap shumë i rëndësishëm për t’u fokusuar totalisht tek ëndrra europiane pasi të mbyllen llogaritë e titullit. Fitorja e Ligës së Kampionëve do të sillte në arkat e futbollistëve 13 milionë euro premio, nga kontratat dhe klauzolat individuale që kanë vetë lojtarët. Presidenti Stiven Zhang do të ishte më se i lumtur që t’ua japë lojtarëve këtë shifër, duke parë që vetë klubi do të arkëtojë shumë herë më shumë.

SI JANË PREMIOT- Në kontratat e lojtarëve është parashikuar që për çdo fazë të kaluar me eliminim direkt do të ketë për skuadrën 2 milionë euro. Diçka që do të konkretizohet me kalimin në çerekfinalet e Championsit. Lojtarët do të përfitojnë në total 2 milionë euro. E njëjta gjë do të vlejë edhe për kualifikimin e mundshëm në gjysmëfinale. Në rast se Interi do t’ia dalë të ngrejë trofeun atëherë skuadra do të përfitojë edhe 5 milionë euro të tjera dhe të paktën 4 milionë nga rritja e premtuar në sezonin e kaluar duke llogaritur bonuset që kanë në kontratat individuale. Nëse do të limitohemi në kuotat fikse, atëherë çdo lojtar i skuadrës së Inzagit do të fuste në xhepat e tij pak më pak se gjysmë milioni euro. Është e vërtetë që ata fitojnë më shumë sesa kaq dhe stimuj kanë të tjerë pafund, por askush nuk i refuzon paratë… Një motiv më shumë nuk bën keq.

KLUBI- E thamë pak më sipër që vetë Interi dhe presidenti Zhang do të ishin të lumtur të shpërndanin kaq premio sepse nga kalimet e tureve mbushen edhe arkat e klubit. UEFA ka rritur shumë premiot për klubet dhe këtë vit buxheti është 2 miliardë euro, që do të shkojë 2.5 miliardë. 16 skuadra e kualifikuara në fazën e 1/8-ave kanë përfituar 9.6 milionë euro për kokë. Kualifkimi në çerekfinale do të vlejë 10.6 milionë euro, në gjysmëfinale 12.5 milionë dhe në finale 15.5 milionë. Interesant është fakti që skuadra fituese merr vetëm 4.5 milionë euro. Duke llogaritur të gjithë rrugëtimin dhe finalizimin me sukses, një skuadër do të arkëtonte 85.14 milionë euro. Pa harruar edhe arkëtimet nga biletat që janë shumë të rëndësishme për të ndihmuar arkat e klubit. Ndaj Atletikos Interi fitoi 9.4 milionë euro nga tifozët në “San Siro”, duke e shndërruar në ndeshjen e dytë në histori me kaq shumë të ardhura.

VETËM MADRIDI- Numrat dhe llogaritjet kalojnë të gjitha nga Madridi, edhe pse për momentin Inzagi dhe skuadra (që janë kualifikuar për në Botërorin e Klubeve në vitin 2025 që do të sjellë miliona) e kanë mendjen te Bolonja. Një tjetër provë bindëse në Bolonja do të ishte mënyra më e mirë për të përgatitur duelin me “Los Kolçoneros”. Duhet një tjetër hap drejt titullit kampion, por me formulën e re për sezonin e ardhshëm, Interi nuk do të jetë kokë grupi. Vetëm mbajtësi i kupës do të jetë i pari. Jemi sërish në të njëjtin diskutim…