Kristian Panuçi ka debutuar në stolin e kombëtares shqiptare më dy shtator të vitit të kaluar, në ndeshjen ndaj Lihteshtejnit, takim ky që u fitua falë golave të Roshit dhe Agollit. Deri më tani tekniku italian ka zhvilluar 6 ndeshje zyrtare dhe katër miqësore.

Gjatë të gjashtë takimeve zyrtare kombëtarja jonë ka shënuar katër gola, dy ndaj Lihteshtejn një ndaj Maqedonisë dhe së fundmi një ndaj Izraelit. Ajo që bie në sy se asnjë nga katër golat nuk ka ardhur nga sulmuesit qendror ose siç njihen ndryshe “pykat”.

Kjo “fikje e motorëve” të sulmuesve nuk mund t’i përvishet vetëm Panuçit, pasi Balaj, Cikalleshi dhe Sadiku kanë pësuar një regres gjatë këtij viti, një situatë kjo, krejt e ndryshme nga ajo në të cilën ndodhej Xhani De Biazi tri vite më parë, ku të tre sulmuesit po spikasnin edhe në rang klubesh.

Shkodrani Balaj ka më shumë se një vit e gjysmë pa shënuar gol. Sadiku ka pasur një eksperiencë për t’u harruar në Spanjë dhe tani ka një rrugë të gjatë përpara vetes për t’u rikuperuar nga dëmtimi në gju.

Cikalleshi e filloi mbarë tek Osmalispori, por forma e tij dhe e gjithë skuadrës pësoi rënie gjatë fundit të sezonit, ku klubi ra nga kategoria. Transferimi te Gëztepe është një hap në drejtimin e duhur, por kavajasi s’do ta ketë aspak të lehtë të sigurojë një vend titullari.

Afrimi më i ri i kombëtares akoma se ka gjetur golin e parë kuqezi, ndërsa për herë të fundit ka shënuar një muaj më parë ndaj Anderlektit. Në katër takimet e fundit, Guri nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës dhe pozitat e tij si titullar mund të lëkunden./sport-ekspres/