Skuadra e Bylisit po vazhdon përgatitjet për Kategorinë e Parë. Pjesë e organikës është edhe Eridon Qardaku. Mesfushori shkodran vetëm dy ditë më parë festoi 21-vjetorin dhe i ka idetë të qarta për të ardhmen. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” flet për objektivat sezonale dhe pritshmëritë që ka për karrierën e tij.


Erdhët pa mbushur 19 vjeç në Ballsh dhe tashmë jeni 21. Çfarë surprize ju bëri klubi për ditëlindje?

Festova ditëlindjen dhe mora shumë urime nga të gjithë. Atmosfera e krijuar në stërvitje ishte e jashtëzakonshme.

Presidenti dhe klubi më kishin përgatitur një tortë të madhe, që më befasoi. Ne ishim gati për të startuar seancën stërvitore në kompleks, kur vjen torta. U ndjeva shumë i vlerësuar dhe u emocionova.


Trajneri i ri duket se ka sjellë optimizëm në ekip. Ka harmoni, stërvitje, lojëra me top. Si ndiheni me të?

Janë politikat e klubit që vendosin për stafin, por më duhet të them që është një trajner profesionist dhe po na bën të ndihemi mirë. Po i përballojmë me lehtësi ngarkesat e kësaj periudhe. Nuk më mbetet gjë tjetër veç të bëj mirë dhe skuadra të ecë sa më shumë.

Çfarë prisni nga ky sezon?

Të them të drejtën, kam synuar të lija më shumë gjurmë në Superiore, por asnjëherë nuk është vonë. Është momenti i duhur sepse edhe në Kategorinë e Parë do të jetë thuajse i njëjti Bylis. Ndaj, edhe në të tilla kushte, unë dua që të bëj më të mirën dhe, pse jo, ekipi të ecë sa më shumë e të rikthehet në Superiore.


Sa e njihni Kategorinë e Parë?

E njoh mjaftueshëm, sepse kam edhe miq e shok apo bashkëlojtarë qe luajnë aty. Kështu që, do të përshtatemi dhe do të kërkojmë që të bëjmë më të mirën….

Cilin shihni si ekipin më të vështirë për t’u mundur?

Pak shpejt të flasim për këtë, sepse ende ekipet janë në kulmin e përgatitjeve. Por si ekipin për t’u mundur, unë të them të drejtën duke parë masat që po merr klubi, shoh Bylisin. Është thuajse tërë skuadra e Superiores. Gjithsesi, duhet të hyjmë në fushë me moton që të vlerësojmë çdo ekip, sepse futbolli ka të papriturat e veta ndaj dhe është i bukur.

A është gati Qardaku që të hedhë hapin e madh në karrierë?

Të luaj sa më shumë, të marr sa më shumë minuta dhe Bylisi të ngjitet në elitë. Ky do të jetë momenti i duhur që të vendos për të ardhmen time.

Presidenti vazhdimisht punon edhe në sajë të njohjeve dhe bashkëpunimit që ka e po ashtu edhe menaxheri im. Synimi parësor është që të luaj sa më shumë e të rikthehemi aty ku e kemi vendin, për të tjerat flasim, ka kohë përpara…