Ervis Kraja, qendërmbrojtësi i Vllaznisë, ka qenë një nga lojtarët më të mirë në përballjen me Partizanin. Aktivizimi në këtë takim nuk ka qenë aspak surprizë për të, pasi kishte kohë që ishte në planet e teknikut Canaj. Por, për qendërmbrojtësin, takimi i fituar dhe loja e mirë në aspektin personal nga ana e tij duhen harruar. Kjo pasi tashmë i pret një tjetër përballje e vështirë, teksa do të përballen me Bylisin. “Fitorja në takimin me Partizanin tashmë është harruar nga ana jonë. Ne e kemi përqendruar vëmendjen te takimi me ballshiotët. Na duhet vazhdimësia, pasi po nuk e patëm këtë, asgjë nuk shkon ashtu siç ne e kërkojmë.

3 pikët e marra me Partizanin harrohen nga tifozët nëse ne nuk arrijmë të fitojmë në Shkodër. Kështu, duhet të kënaqim tifozërinë tonë me një fitore dhe të vazhdojmë të tregojmë forcën tonë në këtë sezon. Ne nuk jemi surprizë dhe ekipet e tjera këtë e dinë mjaft mirë, paçka se pak kush e kishte menduar një ecuri të tillë”.
Forma – Në 9 javët e zhvilluara deri më tani, qendërmbrojtësit Kraja i është besuar pak nga ana e teknikut Canaj, pavarësisht se në startin e sezonit ai ishte një ndër të preferuarit e tij. Kjo ka ardhur si shkak i konkurrencës së brendshme që ka në ekip, dhe sidomos në mbrojtje. Megjithatë, Kraja përherë ka qenë i gatshëm për teknikun dhe i tillë do të jetë edhe për takimin e radhës me Bylisin. “Unë do të bëj gjithçka në fushën e lojës, nëse do të më kërkohet të jem në fushë. Në ekip ka lojtarë të mirë dhe konkurrenca është dukshme, kështu që i takon teknikut të vendosë për formacionin. Ku ka konkurrencë, ka zhvillim dhe te ne një gjë e tillë po shfrytëzohet pozitivisht. Tekniku Agim Canaj ka bërë një grup të mirë dhe harmonik. Mendoj se kjo harmoni që kemi brenda nesh po na çon drejt suksesit”.
Vazhdimësia – Kraja është optimist se në qoftë së Vllaznia do të ruajë këtë vazhdimësi dhe harmoni, gjërat do të jenë më të lehta për këtë skuadër në fund të këtij sezoni. Ai është i bindur se me këtë stof, kjo Vllazni është një nga pretendentet për të qenë në Kupat e Europës në fund të sezonit. “Ne kërkojmë që të jemi me këmbë në tokë, siç edhe e kemi nisur këtë sezon. Nuk kemi pasur presion për një vend në Europë dhe nuk kemi pse të shtojmë presionin ndaj vetes, por jam i bindur se me këtë nisje dhe me përbërjen që ka skuadra, unë e shikoj Vllazninë time në Kupat e Europës”.
Admir URUÇI