Trajneri i Vllaznisë B flet për kaosin e ndeshjes kundër Dinamos: “Si mund ta ruaja qetësinë me ato shkelje të rregullores, në çdo drejtim?”. Një batutë për zgjedhjet në FSHF: Boll na ka marrë në qafë politika

Është vetëm 34 vjeç, ndoshta do të ishte një lider në mbrojtjen e ekipit të tij nëse do të luante, por Ervis Kraja preferon të bëjë mësuesin, pasi drejton Vllazninë B.

Një ekip i mbushur me të rinj të talentuar, të cilët duan të bëjnë rrugë dhe të tregojnë se janë të gatshëm të luajnë në nivele të larta.

Nuk e priste kaq të vuajtur këtë sezon historik Kraja, sepse Vllaznia B po has në probleme të pritshme e më pak të pritshme. Sipas trajnerit kuqeblu, Vllaznia B nuk gëzon respektin e duhur, si nga mediat, ashtu edhe nga disa arbitra.

“Nuk kemi frikë, do të mbijetojmë, ashtu si do t’ia dalë mbanë edhe Vllaznia A. Ia ka dalë mbanë gjithnjë në situata të vështira, tani duhet vetëm unitet e pozitivitet”, thotë shkodrani ne nje interviste per “Sport Ekspres”

– Si ka qenë sezoni i parë në histori për Vllazninë B në Kategorinë e Parë?

– Faleminderit që interesoheni për Vllazninë B, sepse është e habitshme, por interesimi për këtë skuadër është shumë i vogël, edhe pse luajmë në Kategorinë e Parë, aty ku luajnë edhe emra të mëdhenj të futbollit shqiptar.

Sezoni ynë i parë në histori në Kategorinë e Parë nisi shumë mirë dhe pretendimet tona ishin për një ndër 5 vendet e para, por situata ndryshoi rrugës, kemi hasur në shumë të papritura e vështirësi.

– Është folur shpesh për mungesën e mbështetjes nga bashkia, sikur ka pasur edhe probleme pagash.

– Mbështetjen nga bashkia e kam pasur absolute dhe besoj qe nuk ka çështje pagash. Natyrisht, dihet që ekipet e bashkive hasin në probleme burokratike e procedurale, por rrogat për të cilat firmosen, merren.

– A mund të na tregosh çfarë ndodhi në ndeshjen kundër Dinamos? Shumë nervozizëm, ndalesa të ndeshjes, probleme me tifozët, akuza ndaj gjykimit.

Çfarë ndodhi realisht, duke qenë se ndeshja nuk është transmetuar dhe asnjë tifoz nuk e ka parë, për të krijuar një ide më të qartë?

– Nuk u luajt ndeshje, thjesht respektuam kampionatin. Siç e keni parë nga pamje filmike, i thamë arbitrit ‘mos e fillo lojën, se nuk ka polici, s’ka ambulancë e nuk mund të zhvillohet ndeshja’.

Përgjigja ishte ‘nuk të pyes ty’ dhe i ra bilbilit të fillonte loja. I njoftova futbollistët qe mos të luhej e unë u nisa për te delegati që ishte nën strehën jashtë stadiumit, çka vihet re qartë nga pamjet filmike.

Gjatë këtyre dy minutave ku unë dola nga fusha, Dinamo shënoi golin. Pas golit, arbitri ndaloi lojën dhe keni sërish pamje filmike ku i kërkoj llogari delegatit, mbasi i kërkoj polici, ambulancë dhe arsyen pse tifozeria kishte mbushur shkallët, kur nuk kishte fare forca sigurie.

Ai filloi të kërkojë jelekë për tifozët (gjoja janë Security), ku për humor po më tregonte sigurinë me drejtim nga miku im Nelson Hysa: “Shikoje sigurinë e stadiumit”, kur realisht ai ishte përfaqësuesi im.

Mbas një presioni ku na u tha se nëse nuk do të niste loja, do penalizoheshim me këtë ndeshje në tavolinë dhe pikë të tjera në renditje nga Disiplina, vazhduam, nuk kishim ç’të bënim.

– Cilat janë ankesat tuaja në lidhje me gjykimin? Keni parë tendencë nga kryesori Hoxha, apo nga anësorët?

– Arbitri ishte skandaloz e shumë tendencioz, i ka rënë në qafë Vllaznisë. Ai ishte informuar edhe sa kartonë kanë lojtaret e mi, që ta ndihmonte edhe qytetin e tij në ndeshjen e ardhshme.

Më vjen keq, luajmë me djem të rinj e të talentuar, të cilëve u pritet entuziazmi me veprime të tilla. Kjo që i bëhet kësaj skuadre quhet nëpërkëmbje.

– Keni një rekord: 32 lojtarë kanë zbritur në fushë me Vllazninë B në këtë sezon. Zgjedhja juaj, apo keni qenë të detyruar? Mos ndoshta kjo ka ndikuar që të mos krijohet një formacion bazë dhe rezultatet të mos jenë të mira?

– Është e vërtetë që kemi provuar 32 lojtarë, por prandaj është krijuar B, t’i japim edhe një mundësi të gjithë futbollistëve qe nuk luajnë rregullisht tek ekipi A.

– Burreli, Besa, Korabi e Tërbuni, sa shanse për mbijetesë ka Vllaznia B? U druheni bërrylave, aleancave e manipulimeve?

– Rivaleteti është i madh, e vërtetë, por nuk kemi frikë. Probleme ka pasur dhe do të ketë, por besoj se do ia dalim.

– Keni publikuar një status në Facebook ditët e fundit, duke kërkuar mbështetje dhe unitet për Vllazninë. Pse gjithë ai tension dhe gjithë ato polemika në Shkodër? Duket sikur problemet më të mëdha Vllaznia i ka nga Shkodra, sesa nga rivalët.

– Statusi është i vërtetë dhe me zemër e kam shkruar. Ne duhet të jemi pozitivë në këto momente, sepse shoh shumë negativitet, presioni ndaj lojtarëve e trajnerit nuk është i mirë.

– A keni frikë se bie Vllaznia? Si i shihni shanset në këtë moment, duke parë që vetëm Teuta duket rival që mund të kapet në renditje.

– Unë nuk kam frikë. Besoj se do ia dalim edhe këtë herë të gjithë së bashku. Vllaznia nuk ka rival asnjë ekip, por vetëm veten. Kush e do Vllazninë harron interesat personale në këtë moment dhe i bashkohet ekipit me frymë pozitive.

– Nesër zhvillohen zgjedhjet për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. Të gjithë flasin, edhe gazetarët e politikës janë bërë më aktivë se kurrë. Po në syrin e një trajneri, a mund të jepni një opinion për këto zgjedhje, që po duken mjaft të acaruara, me polemika e politikë brenda?

– Shpresoj që nesër të jenë zgjedhjet e duhura, pa probleme e presione. Personalisht, shpresoj të fitojë zoti Duka, sepse arritjet e futbollit shqiptar nuk harrohen me pak pushtet.

Politika duhet të jetë shumë larg futbollit e sportit në përgjithësi. Shkodra në veçanti, por gjithë Shqipëria, nuk ia ka parë të mirat politikës as në aspektin e sportit, ndaj uroj që të mos fillojmë të përzihemi me politikën, që boll dëme ka bërë në fushat e tjera të jetës.

– Faleminderit për intervistën dhe u urojmë suksese me Vllazninë!

– Të falënderoj dhe njëherë për intervistën e shpresoj që të jemi me shpesh pjesë e gazetës suaj, jo unë si individ, po si Vllazni B.