Dje “Juban Danja- Murlani” iu rikthye fitores teksa mundi 3-0 ekipin e Kinostudios dhe tashmë ka forcuar pozitat e saj në vendin e katërt të renditjes. Por duket se ky nuk është pozicioni i duhur për këtë skuadër.

Objektivi i saj është padyshim vendi i dytë në renditje. Për momentin është një objektiv disi i largët sepse ka njëfarë diference në pikë me Apoloninë që e mban aktualisht këtë vend, por në rradhët e pjestarëve të ekipit shkodran ka besim se mund t’ia dalin.

Këtë gjë e thotë edhe njëra nga lojtaret titullare të saj, mesfushorja 18 vjeçare Fabiola Caka. Ajo ka pranuar të flasë për “Shkodra Sport” duke dhënë një intervistë të shkurtër për gazetën tonë, e cila ka shprehur edhe deshiren e madhe te saj, veshjen sa me shpejt te fanelles se kombetares te madhe.

– Fabiola, dje fituat 3-0 ndaj Kinostudios. Ishte një fitore e vështirë?

Duhet të them se Kinostudio është një rival i fortë, por “Juban Danja- Murlani” tregoi që ka potencial dhe që mund të bëjë më shumë. Ne e dominuam lojën dhe në fakt duhej të kishim shënuar edhe më shumë gola sepse kemi patur jo pak raste, por nganjëherë edhe fati nuk është me ty. Megjithatë edhe 3-0 nuk është keq sepse treguam vlerat tona.

– Ditët e fundit me ekipin janë bashkuar edhe tre futbolliste që kanë ardhur në formë huazimi nga Vllaznia. Tani është më e fortë “Juban Danja- Murlani” me to në përbërje?

“Juban Danja- Murlani” kishte nevojë për frymë të re, për përforcime dhe ardhja e tre lojtareve nga Vllaznia padyshim që është diçka shumë e mirë për ekipin tonë. Tashmë ka edhe më shumë konkurrencë sepse ekipi është më i plotë dhe trajneri ka më shumë mundësi përzgjedhje për formacionin.

– Në aspektin personal, je e kënaqur me performancën tuaj në fushën e lojës këtë sezon?

Po, jam e kënaqur sepse nga ndeshja në ndeshje forma ime ka ardhur duke u rritur. Unë shpresoj të bëj mirë edhe në vazhdim.

– Jeni pjesë edhe e kombëtares U19. Besoj se ëndërroni që një ditë të vishni edhe fanellën e kombëtares së madhe?

Patjetër. Për çdo futbollist e futbolliste, kjo është ëndrra e çdokujt dhe unë shpresoj ta bëjë realitet sa më shpejt.


– Aktualisht “Juban Danja- Murlani” është i pozicionuar në vendin e katërt në renditje. Në ndeshjet e mbetura do të synonin ruajtjen e këtij vendi, apo synoni më shumë?

Ekipi ynë pretendon më shumë se vendi i katërt. Kemi bërë disa gabime gjatë rrugës, por besoj se tani e tutje ecuria do të jetë më e mirë. Nga sa është bërë e ditur edhe nga drejtuesit, objektivi i “Juban Danja- Murlanit” këtë sezon është vendi i dytë dhe do të tentojmë deri në fund ta arrijmë atë.