Për të kuptuar më mirë formën me të cilën skuadrat shkojnë drejt pjesës së fundit të sezonit, mjafton të studiohet ecuria e tyre që nga fillimi i fazës së tretë të Kategorisë Superiore.

Mjafton të shohësh pikët e grumbulluara në 6 ndeshjet e luajtura në këtë fazë për të kuptuar se si janë skuadrat në raport me njëra -tjetrën sa u përket pikëve të fituara dhe pretendimeve të tyre.

Skënderbeu vazhdon të jetë i shkëputur nga të gjithë skuadrat ndjekëse dhe rezulton të jetë ekipi që ka bërë më shumë pikë që nga fillimi i fazës së tretë, plot 16 të tilla falë 5 fitoreve e 1 barazimi, duke mos njohur humbjen.

Pas ekipit korçar vjen Kukësi i Pakult, që ka regjistruar 13 pikë në 6 ndeshjet e para të fazës, me pengun e vetëm që duhet të jetë ajo humbje përballë Kamzës në ndeshjen e parë.

Në vijim ka dy ekipe që kanë tejkaluar deri diku pritshmërinë në ecurinë e tyre në fazën e tretë, Luftëtari dhe Vllaznia, të cilët kanë regjistruar nga 11 pikë në këto 6 ndeshje të luajtura.

Kjo ecuri u ka mundësuar gjirokastritëve të bashkohen me grupin e skuadrave që luajnë për Europën, ndërsa shkodranët kanë dalë nga zona e ftohtë e klasifikimit.

Nga 8 pikë kanë Partizani dhe Laçi, skuadra të cilat janë në kërkim të Europës, ashtu si edhe Kamza që ka regjistruar 1 pikë më pak në këtë fazë.

Teuta ka regjistruar 5 pikë të fituara në 6 ndeshje, ndërsa bie në sy se Flamurtari ka siguruar vetëm 4 pikë.

Me pak fjalë, vetëm në këtë fazë, vlonjatët kanë humbur 12 pikë në krahasim me Skënderbeun kryesues dhe 9 në krahasim me Kukësin.

Kjo ka bërë që nga një ekip që pretendonte për të luftuar për titullin në pjesën e dytë të sezonit, tashmë Flamurtari rrezikon Europën, i kaluar nga Kukësi dhe i arritur nga ekipet e tjera të mesit të tabelës së klasifikimit.

E vetmja skuadër që nuk ka regjistruar asnjë pikë në këtë fazë është Lushnja, e cila është mundur në të 6 takimet që ka zhvilluar, me një golavarazh 4-18. /vipsport/